Aktualitet

32 vjet burg për vrasjen e vjehrrës, nusja: Vini dorën në zemër

Shkruar nga Liberale

Gjykata për Krime të Rënda dënoi të martën me 32 vite burg Marjana Cmetën  për vrasjen  e vjehrrës së saj në vitin 2017. Cmeta mbajti qëndrim mohues gjatë gjithë procesit dhe i kërkoi Gjykatës disa minuta kohë për të mbajtur qëndrimin përfundimtar.

Vendimet ndaj meje më kanë vrarë shumë. Shpirtërisht dhe moralisht ndihem e shkatërruar nga këto vendime. Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, ju jeni prindër vetë, unë kam një vajzë të vogël që po rritet pa mua. Ju lutem të vini dorën në zemër e të mos e lini të rritet pa nënën dhe një nënë të jetoj pa vajzën e saj. Unë para vetes dhe Zotit janë e pafajshme”, tha Marjana Cmeta.

Prokuroria solli një sërë provash, nga dëshmi, aktekspertim për shkaqet e vdekjes dhe videon e bërë nga hoxhë Hysen Shehu, ku Cmeta rrëfen krimin.

Provohet më tej çdo dyshim se shtetasja Marjana Cmeta, në datën 30 prill 2017, gjatë kohës që ka qenë në banesën e saj së bashku me vjehrrën, viktimën Lirije Lami, i ka ofruar të pijë një lëng frutash, në të cilën kishte hedhur një tabletë fostoksinë dhe se këtë helm e kishte marrë që më parë dhe e kishte ruajtur për të realizuar këtë vepër e për ta bërë që të dukej si vetëhelmim. Më pas, duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, ajo ka kryer dhe veprime fizike, duke e mbytur me shall dhe pas reagimeve të viktimës e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas, ka njoftuar vëllain e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital, duke e paraqitur si të vetëhelmuar. Edhe në deklarimet e para, kjo shtetase ka mohuar që të ketë kryer krimin, duke dhënë alibinë se viktima, gjatë kohës që ka qenë në banesë, ka qëndruar për rreth një orë në një dhomë tjetër dhe kur ka shkuar, e ka parë shtrirë dhe në gjendje të rëndë. Ka njoftuar të afërmit dhe e kanë dërguar në spital”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Të pranishëm në seancën e djeshme ishin familjarë të shumtë të viktimës, Lirije Lamit, ndër ta edhe ish-bashkëshorti i Cmetës. Cmeta e priti vendimi e dënimit në dukje e qetë, ndërsa u largua e revoltuar nga salla e gjyqit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH