Rruga drejt librit dhe letërsisë e dy gazetarëve dhe shkrimtarëve të njohur, Ben Blushi dhe Blendi Fevziu, hodhi rrënjë 31 vite më parë. Ishte viti 1991, fill pas pas rënies së diktaturës dhe nisjes së tranzicionit.
Si dy 22-vjeçarë, që studionin në të njëjtën klasë e ndanin të njëjtin pasion për shkrimin, vendosën ta shtrijnë bashkëpunimin në një krijimtari të përbashkët. Reflektimet e kohës së trazuar që po kalonin, i hodhën në letër dhe i botuan në një libër të titulluar”100 ushtarët”. Ndërsa Fevziu shkruante tregime, pjesa e Blushit mbushej edhe me poezi.
Sot dy autorët, kryefjalë e Panairit të 26-të Librit, kanë rikujtuar ato vite të largëta, tashmë nga lartësi të reja, si dy shkrimtarët më të lexuar dhe më të shitur në Shqipëri.
“31 vite, me libra në dorë. Nga libri i parë si bashkautorë tek panairi i sotëm. @ben.blushi #blendifevziu @uet.press”, shkruan Fevziu në Instagram me një foto nga panairi.
View this post on Instagram
Blendi Fevziu erdhi në këtë panair me librin e tij më të ri, “Takimet e mia me…”, botim i UET Press, duke rrëfyer 39 personazhe e personalitete jo vetëm nga Shqipëria, por Mali i Zi dhe Kosova, të cilët kanë dominuar historinë e shqiptarëve. Si ka qenë jeta e tyre dhe veprimtaria ndër vite, rrëfehen përmes stilistikës, kujdesit ndaj detajeve dhe syrit të mprehtë të autorit.
Duke qëndruar brenda gjinisë së romanit, Ben Blushi solli librin “Komploti”, një profeci e autorit mbi atë se çfarë do të ndodhë në Shqipëri në vitin 2044. Një subjekt intrigues, me personazhe që duken të njohur sot, por që do të dominojnë skenën politike 20 vjet më pas.