Si ka ndryshuar GDP-ja në vendin tonë gjatë viteve të tranzicionit, 1990-2020 dhe të ardhurat për frymë, krahasimi me vendet e tjera
Nga Aranit Muraçi
Norvegjia, një ndër vendet më të pasura dhe me mirëqenien më të lartë sot në botë, vlerësohet se këtë arritje e ka “dhuratë” prej politikave vizionare në periudha afatgjata, falë fuqisë punëtore të arsimuar mirë, sektorëve produktiv si në publik ashtu edhe atë privat, si dhe prej burimeve të pasura natyrore të vendit të saj. Përveç kësaj, Norvegjia mund të blejë mallra me çmime të ulëta nga tregjet ndërkombëtare, siç janë veshjet dhe të shesë mallra me çmime të larta, si salmoni.
Çfarë prodhon ekonomia shqiptare dhe sa konkurruese është ajo në rajon dhe më gjerë? Sa tërheqëse është ajo për investitorët dhe cilat janë sektorët kryesorë të zhvillimit të saj? Cila është fuqia blerëse, mirëqenia dhe performanca e ekonomisë sonë, e cila, si çdo ekonomi tjetër vihet përballë krizave ndaj të cilave i duhet të reagojë. Janë pyetje thelbësore. Në perceptimin e tyre, qytetarët shqiptarë e dinë se mbeten sikurse kur dolën nga izolimi komunist, në ’90, populli më i varfër i Europës. Kjo i adresohet politikave të gabuara zhvillimore që janë ndjekur pas rënies së komunizmit ose paaftësisë së klasës politike, për të ngritur një model ekonomik konkurrues në rajon. Emigracioni vlerësohet si një ndër faktorët kryesorë të progresit ekonomik.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, rezultatet e para në ekonominë e vendit ishin inkurajuese. Megjithatë, në më shumë se 30 vite tranzicion, Shqipëria nuk ia ka dalë ende të ngrejë një model ekonomik të qëndrueshëm. Në plot tri dekada pas hapjes, ekonomia jonë nuk ka mundur të jetë më konkurruese as se ekonomitë e disa prej vendeve të rajonit, të cilat aktualisht kanë po ashtu të njëjtin objektiv, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Duhet theksuar se ekonomia e Shqipërisë ka pësuar tri goditje të mëdha, në tri periudha të ndryshme gjatë tranzicionit të tejzgjatur. Goditja e parë, më e madhja dhe më e pajustifikueshmja e ekonomisë ka qenë ajo e vitit 1997. E dyta, e vitit 2008 që ishte një krizë indirekte për ekonominë tonë dhe e fundit, goditja si pasojë e tërmetit (2019) dhe pandemisë së Covid-19. Largimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore dhe sidomos humbja e pjesës më të kualifikuar të saj, e ka vënë shpesh dhe vazhdimisht ekonominë tonë para sfidave të vështira.
Një mënyrë për të matur zhvillimin e prosperitetit në shoqëri është vlerësimi i aktivitetit ekonomik. Masa më e përdorur për ecurinë dhe performancën e një ekonomie është Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP). GDP për frymë është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i performancës ekonomike dhe një njësi e dobishme për të bërë krahasime të standardeve mesatare të jetesës dhe mirëqenies ekonomike të një vendi. PBB-ja ndan produktin e brendshëm bruto të vendit me popullsinë e tij totale.
Sa më shumë që njerëzit punojnë dhe fitojnë para, aq më e lartë do të jetë kërkesa për mallra dhe shërbime nga familjet dhe individët. Si rezultat, kompanitë rrisin prodhimin e tyre dhe po ashtu edhe konsumi familjar rritet. Kjo do të thotë se edhe GDP-ja e një vendi rritet. Kur përkeqësohet ekonomia, njerëzit kanë më pak para për të shpenzuar dhe për rrjedhojë kërkesa për mallra dhe shërbime bie. Kompanitë dhe ndërmarrjet duhet të përshtaten me të dhe të prodhojnë më pak. Si rezultat, GDP rritet më ngadalë ose zvogëlohet.
Shqipëria aktualisht konsiderohet një vend me të ardhura të ulëta, sipas standardeve të Bashkimit Europian, me GDP për frymë disa herë më të ulëta se të gjitha vendet anëtare të saj. Sipas Eurostat, PBB-ja për frymë e Shqipërisë ishte rreth 35 për qind e mesatares së BE-së në vitin 2008 (viti i krizës), kurse shkalla e papunësisë në vitin 2018, para krisës së fundit globale ishte 12.4%.
Nga skemat piramidale tek hovi i viteve 2000
E udhëhequr nga sektori bujqësor, PBB-ja reale u rrit më shpejtësi pas reformave të para në fillim të viteve ’90, kur e djathta mori pushtetin. Pjesën më të madhe të kësaj rritjeje e pati sektori privat kurse inflacioni dhe monedha shqiptare, pas tronditjeve prej ndryshimeve politike, u stabilizuan. Shqipëria u bë më pak e varur nga ndihmat ndërkombëtare. Shpejtësia dhe energjia e reagimit të sipërmarrjes private ndaj hapjes dhe liberalizimit të Shqipërisë është vlerësuar madje edhe më e mirë se sa pritej. Megjithatë, duke filluar nga viti 1995, progresi ekonomik i vendit ngeci. Në vitet 1997 dhe 1998 ekonomia e vendit tonë, për shkak të piramidave dhe si pasojë kolapsit financiar pësoi një rënie drastike. Rënia e skemave piramidale financiare në fillim të vitit 1997 – e cila kishte tërhequr depozitat e një pjesë të konsiderueshme e popullsisë – shkaktoi veç të tjerash trazira të rënda sociale. Por menjëherë pas krizës, ekonomia mori një hov të madh. Në vitin 2000, shkalla e rritjes së PBB-së ishte rreth 5% në vit. GDP në vitin 1992 llogaritej në 843 miliard dollarë dhe pas rënies që pësoi prej skemës së piramidave, në vitin 2000 ajo u rrit në 3,483 dollarë.
Pasojat e Krizës Financiare në Europë
Në dy dekadat e fundit GDP ka pasur një rritje jo edhe aq mbresëlënëse. Duhet theksuar fakti se pavarësisht ndryshimeve në qeverisje, rritja ekonomike ka njohur rritje konstante dhe ka pësuar tkurrje vetëm për shkak të krizave ndërkombëtare ose fatkeqësive natyrore. Në vitin 2000, shkalla e rritjes së PBB-së ishte rreth 5% në vit. Megjithatë, në vitin 2008 një krizë financiare që u përhap në mbarë botën, kryesisht në Europë, preku edhe ekonominë shqiptare. Për shkak të krizës që preku rëndë vendet fqinje si Greqia dhe Italia, vende ku ekziston numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë, ranë ndjeshëm remitancat. Me qindra mijëra emigrantë shqiptarë kishin më pak para për t’u dërguar familjeve të tyre apo për të ardhur me pushime dhe për të shpenzuar më tepër në Shqipëri. Më pak para për familjet shqiptare do të thoshte më pak konsum. Rënia e konsumit çon në rënien e prodhimit vendas dhe rrjedhimisht në rënien e GDP dhe një performancë më të dobët të ekonomisë sonë. Kriza financiare e Europës zgjati disa vite dhe pati një ndikim në sektorë të tjerë të ekonomisë sonë, si në bujqësi dhe turizëm.
Tërmeti që krisi edhe ekonominë
E njëjta rritje konstante është vërejtur edhe në dekadën e fundit. Por ajo pësoi një tjetër goditje nga tërmeti i vitit 2019 dhe një tjetër nga pandemia e koronavirusit. Në vitin 2020 GDP llogaritet në 15,161 miliard dollarë, ose 5,268 dollarë për banorë. Për shkak të informalitetit, kjo rritje vlerësohet në disa raste në mbi 6 mijë dollarë për frymë. Në Shqipëri, bujqësia mbetet kontribuuesi më i rëndësishëm në ekonomi me gati 20% të totalit, megjithëse në një pjesë të mirë të territorit ajo funksionon si në vitin 1990. Tërmeti dhe pandemia treguan edhe një herë brishtësinë dhe dobësinë e ekonomisë së Shqipërisë për të reaguar si duhet ndaj krizave të papritura. Gjithashtu, tregtia, transporti, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve ushqimore zënë 16,80 % të volumit, të ndjekura nga administrata publike, arsimi, shëndeti i njerëzve që kanë gjithashtu një ndikim të madh me 11,67 % në totalin e ekonomisë. PBB në vitin 2021 ishte 18,256 milionë dollarë, Shqipëria në vitin e fundit pozicionohej në vendin e 120, në renditjen e PBB-së nga 196 vende të botës. Vlera absolute e PBB-së në Shqipëri u rrit 3,095 milionë dollarë në raport me vitin 2020. PBB-ja për frymë e Shqipërisë në vitin 2021 ishte 6,451 dollarë, 1,183 dollarë më e lartë se në vitin 2020. Për të parë evolucionin e PBB-së për frymë, është interesante ta krahasojmë atë me ato të një dekade më parë, kur PBB për frymë në vitin 2011 në Shqipëri ishte 4,440 dollarë.
Ne dhe Rajoni
Për vitin aktual, GDP e Shqipërisë llogaritet në 17.745 miliardë dollarë. GDP për banorë llogaritet në 6.300 dollarë, ndërsa ajo është pozicionuar në vendin e 119-të në botë. Në krahasim me vendet e rajonit, për vitin 2022, GDP e vendit fqinj, Maqedonia e Veriut është vlerësuar në 14.203 miliardë dollarë, ose 7,729 dollarë për banorë, duke u renditur e 141-ta në botë. GDP e Serbisë për vitin 2022 llogaritet në 65 miliard dollarë, 9.500 dollarë për banorë, e 85-ta në botë. GDP e Bosnje-Hercegovinës llogaritet në 23 miliardë dollarë për vitin aktual, ose 6.725 dollarë për banorë (e 111 në botë). Nëse krahasojmë GDP për banorë, Shqipëria mbetet aktualisht vendi më i varfër në rajon dhe në vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare mbetet një ndër gjashtë vendet me ekonominë më të dobët në Europë.
Përballë Greqisë
Krahasimi më i mirë mund të bëhet me vendin fqinj, Greqinë, pjesë e Bashkimit Europian ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet në të ardhmen. Ekonomia e Greqisë është e 53-ta më e madhe në botë. Prodhimi i saj i Brendshëm Bruto (GDP) vlerësohet rreth 222.770 miliardë dollarë. Për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse, Greqia është ekonomia e 54-të më e madhe në botë, me 378.693 miliardë dollarë në vit. Që nga viti 2020, Greqia është ekonomia e gjashtëmbëdhjetë më e madhe në Bashkimin Evropian prej 27 anëtarësh. Sipas shifrave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2022, GDP-ja për frymë e Greqisë është vlerësuar në 20,940 dollarë në vlerë nominale dhe 35,596 dollarë nëse i referohemi fuqisë blerëse. Greqia konsiderohet një vend i zhvilluar, me një ekonomi të bazuar në shërbime (80%) dhe sektorë industrialë (16%). Sektori i bujqësisë kontribuon në rreth 4% të prodhimit ekonomik kombëtar në vitin 2017.
Konkluzioni i një tranzicioni
Nëse i referohemi ekonomisë më të madhe në botë, është ajo e SHBA-së me rreth 25 për qind të prodhimit botëror dhe pas saj vjen Kina. Por nëse vlerësohet GDP për frymë, vendet e zhvilluara me popullsi të ulët, janë në krye të listës botërore. Kështu, në vlerësimet e vitit 2020 vendin e parë e mban Lihtenshtejn, i ndjekur nga Monako dhe Luksemburgu. Shtete të tjera “mikroskopike” si Bermuda, Katari, Brunei klasifikohen ndër 10 vendet më të pasura në botë, për sa i përket të ardhurave vjetore për frymë. Irlanda, Norvegjia dhe Zvicra, nëse i referohemi të ardhurave vjetore për frymë, janë vendet e vetme që klasifikohen në 10 vendet e para të botës. SHBA edhe pse me GDP-në më të madhe në botë, për sa i përket të ardhurave për frymë mban vendin e 13-të në rang global. Si përfundim mund të themi se, nëse ekonomia shqiptare ka pasur rritje, stabilitet dhe ka performuar mirë gjatë viteve të tranzicionit, kjo i adresohet më së shumti punës individuale të vetë shqiptarëve sesa ndonjë politike të veçantë zhvillimi nga qeveritë që kanë drejtuar vendit. Dukshëm ekonomisë sonë i mungojnë strategjitë afatgjata të zhvillimit ekonomik, si në zhvillimin e burimeve njerëzore, ë kualifikimit të fuqisë punëtore, tekonologji, etj., të cilat janë ekskluzivitet i politik-bërësve, çka reflektohen edhe faktin që Shqipëria mbetet ende pas të gjitha vendeve të rajonit, si në GDP e përgjithshme, ashtu edhe në të ardhurat për frymë.
GDP e përgjithshme (1992-2020)
Viti Miliardë ($) Përqindja
2020 15,161 -3.5%
2019 15,399 2.1%
2018 15,157 4.0%
2017 13,053 3.8%
2016 11,862 3.3%
2015 11,389 2.2%
2014 13,246 1.8%
2013 12,784 1.0%
2012 12,324 1.4%
2011 12,899 2.5%
2010 11,937 3.7%
2009 12,044 3.4%
2008 12,881 7.5%
2007 10,677 6.0%
2006 8,896 5.9%
2005 8,052 5.5%
2004 7,185 5.5%
2003 5,611 5.5%
2002 4,348 4.5%
2001 3,928 8.3%
2000 3,483 6.9%
1999 3,209 12.9%
1998 2,560 8.8%
1997 2,259 -10.9%
1996 3,200 7.1%
1995 2,882 8.9%
1994 2,361 9.4%
1993 1,461 9.6%
1992 843 -7.2%
GDP për frymë (1990-2020)
2020 5,268
2019 5,345
2018 5,258
2017 4,526
2016 4,124
2015 3,954
2014 4,585
2013 4,416
2012 4,249
2011 4,440
2010 4,098
2009 4,114
2008 4,371
2007 3,595
2006 2,973
2005 2,674
2004 2,374
2003 1,846
2002 1,425
2001 1,284
2000 1,128
1999 1,032
1998 818
1997 717
1996 1,010
1995 904
1994 736
1993 453
1992 260
/Liberale.al/