Aktualitet

SHIFRA E DITËS 3.4 miliardë euro në një dekadë, cilët shqiptarë po investojnë për prona jashtë vendit

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Në seksionin e llogarive kombëtare për Prodhimin Kombëtar Bruto (PKB), INSTAT raportoi se në vitin 2020, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri jashtë arritën 65 miliardë lekë, ose 541 milionë euro, me një rënie 6% në krahasim me vitin 2019. Rënia duket se vjen për shkak të pandemisë Covid-19, megjithatë shqiptarët arritën të nxjerrin një sasi të konsiderueshme fondesh jashtë vendit për blerjen e banesave, niveli më i lartë historik, duke përjashtuar vitin 2019.

Përveç remitancave, në Shqipëri futen kryesisht para ilegale të fituara nga aktivitete të paligjshme që zhvillojnë shqiptarët në vendet perëndimore dhe pastrohen, kryesisht në ndërtim. Nga ana tjetër shuma të mëdha parash dalin jashtë dhe investohet kryesisht për prona nga qytetarët shqiptarë.

Blerjet e pronave jashtë vendit nga ana e shqiptarëve shënuan një nivel rekord në vitin 2019, me një rritje vjetore mbi 44%. Shpenzimet për prona jashtë vendit kanë pasur një rritje të vazhdueshme, sidomos pas vitit 2011. Gjatë viteve të para të tranzicionit ato ishin të ulëta deri në vitin 2007, por pas krizës së vitit 2008, kanë pasur një rritje të pazakontë.

Për një dekadë, gjatë periudhës 2010-2020, shpenzimet e shqiptarëve për blerjen e pronave jashtë vendit arritën në 412 miliardë lekë ose rreth 3.4 miliardë euro me kursin aktual të këmbimit.

Nga 7 miliardë lekë shpenzime për prona jashtë vendit në vitin 2007, një vit më pas, më 2008 kjo vlerë u rrit më shumë se katërfish, në 32 miliardë lekë. Pas këtij viti shpenzimet për blerjen e pronave jashtë vendit u rriten me shpejtësi, sipas të dhënave zyrtare.

Gjatë periudhës 2008-2013, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit ishin 1,6 miliardë lekë euro.  Nga viti 1996 deri në vitin 2020, shpenzimet për prona jashtë vendit arritën në 497 miliardë lekë, ose rreth 4 miliardë euro.

Besohet se rritja ka vazhduar edhe në dy vitet e fundit, ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare.

Por kush janë shqiptarët që investojnë për prona jashtë? Nuk janë investime që vijnë nga biznesi! Janë kryesisht para të cilat janë fituar nga korrupsioni, ose aktivitete të paligjshme në Shqipëri, kryesisht nga zyrtarë publikë, të cilat pasi i ‘ligjërojnë’ përmes “marifeteve” të ndryshme, i investojnë jashtë me qëllim që të mos ngrenë dyshime mbi postet që mbajnë dhe të mos bien pre e akuzave politike. Një tjetër arsye është se, në një moment krize apo kaosi në Shqipëri, siç ishte ’97, ata janë gati të braktisin vendin, duke pasur diçka të sigurt jashtë vendit.  Arsyeja tjetër është se investimin jashtë për prona zyrtarët e korruptuar e shohin investimin më të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH