Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 27 vendet anëtare të BE-së dhe Shqipëria, ku protestohet, kush dhe për çfarë?

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Gjatë javës së fundit qendra e Madridit u mbush me protestues dhe flamuj sindikatash, ndërsa rreth tre mijë protestues kërkuan rritje të pagave dhe pensioneve, në përputhje me inflacionin. Protestat rreth kostos së jetesës në Spanjë pasqyruan atë që po ndodh në të gjithë Francën, Belgjikën, Gjermaninë, Republikën Çeke, dhe shumë vende të tjera europiane, pasi kostot në rritje bënë që fuqia blerëse e njerëzve të bjerë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Çmimet e ushqimeve, karburantit, qirasë dhe ngrohjes së shtëpive janë rritur ndjeshëm dhe shumë njerëz duhet të përgatiten për një situatë edhe më të vështirë me afrimin e muajve të ftohtë të dimrit.

Çmimet e pesë produkteve bazë të ushqimeve, buka, vaji, mishi, sheqeri dhe qumështi, si dhe karburanti, në vendin tonë janë rritur mesatarisht nga 20 deri në 30 për qind, gjatë muajve të krizës. Në të gjithë Evropën, inflacioni në rritje ka bërë që të shpërthejnë një valë protestash dhe grevash që shfaqin hapur pakënaqësinë në rritje me koston e jetesës dhe kërcënojnë të shkaktojnë trazira politike.

Në Rumani, protestuesit zënë rrugët dhe u binin borive dhe daulleve për të shprehur shqetësimin e tyre. Në të gjithë Francën qytetarët dolën në rrugë për të kërkuar rritje të pagave, me ritmin e inflacionit. Demonstruesit çekë u mblodhën kundër menaxhimit të krizës energjetike nga qeveria. Personali britanik i hekurudhave dhe pilotët gjermanë organizuan greva për të kërkuar paga më të mira, për faktin se çmimet janë rritur ndjeshëm.

Sa i përket inflacionit në vendin tonë, Instat njoftoi se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2022 është 7,9 %. Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë është 10.9%, më e larta historike. Në 12 shtete të BE-së, inflacioni ka arritur nivele dy shifrore, duke i kaluar 10% (Estoni, Lituani, Letoni, Hungari, Çeki, Holandë, Poloni, Bullgari, Sllovaki, Rumani, Kroaci, Belgjikë).

Shteti me rritjen më të ulët të çmimeve është Zvicra (më pak se 4%), Islanda (6%), Franca (6%), Malta (gati 8%), Norvegjia (gati 8%) dhe më pas Shqipëria (gati 8%). Ndërsa inflacioni në rritje vazhdon t'i shtyjë njerëzit në vështirësi, në të gjithë BE-në, zemërimi po rritet dhe protestat po shpërthejnë në rrugë.

Megjithëse shifrat e inflacionit në disa vende mund të mos jenë reale, evropianët kudo kanë parë që rritja në faturat e tyre të energjisë dhe çmimeve të ushqimeve nuk po ndalet për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Pavarësisht se çmimet e gazit natyror kanë rënë ndjeshëm nga nivelet më të larta që ishin gjatë verës dhe qeveritë evropiane kanë akorduar 576 miliardë euro lehtësim energjie për familjet dhe bizneset që nga shtatori 2021, sipas institutit të studimit Bruegel të Brukselit, kjo nuk është parë e mjaftueshme për shumë qytetarë.

Çmimet e energjisë e kanë çuar inflacionin në 19 vende të eurozonës shifra rekord, duke e bërë më të vështirë për njerëzit të blejnë atë që u nevojitet. Disa nuk shohin zgjidhje tjetër veçse të dalin në rrugë. “Sot, njerëzit janë të detyruar të përdorin taktika presioni për të përfituar rritje page,” - tha Rachid Ouchem, një mjek i cili ishte në mesin e më shumë se 100,000 njerëzve që iu bashkuan marshimeve protestuese këtë javë në qytete të shumta franceze.

Pasojat e luftës në Ukrainë kanë rritur ndjeshëm rrezikun e trazirave civile në Evropë, sipas konsulencës së rreziqeve “Verisk Maplecroft”. Udhëheqësit evropianë e kanë mbështetur fuqimisht Ukrainën, duke i dërguar asaj armë, dhe duke u zotuar se ata janë në gjendje të mbajnë ekonomitë e tyre larg nga nafta dhe gazi natyror i lirë rus, por dukshëm tranzicioni nuk ka qenë edhe aq i lehtë.

Kudo qytetarët po kritikojnë qeveritë se nuk kanë bërë sa duhet për të ndihmuar familjet dhe bizneset e ndrydhura nga kostot e energjisë. Punëtorë të hekurudhave dhe transportit publik, infermierë, punonjësit e porteve, avokatët dhe të tjerë profesionistë, kanë organizuar po ashtu kudo në Europë një sërë grevash muajt e fundit, duke kërkuar rritje të pagave që ato të përputhen me inflacionin. Në Britani një i tillë shkoi në nivelin më të lartë të katër dekadave prej 10.1%.

Në vendin tonë, vetëm pedagogët po zhvillojnë një protestë aktualisht, ndërsa qeveria e rriti pagën e tyre me 7 për qind, aq sa është deklaruar edhe inflacioni nga ana e saj. Dukshëm shpirti i protestës së lirë, i qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre, është “vrarë” nga politika e cila mban monopolin e organizimit të tyre. Në rastet kur shoqëria civile organizon protesta, klasa politike bëhet pjesë e saj, për intersat e saj ose dështimin e tyre.

Megjithatë, nëse Europa përfundon me një ndërprerje të papritur të furnizimit me gaz këtë dimër, atëherë, ekspertët vlerësojnë se ndoshta do të shohim një rritje edhe më të madhe të trazirave civile, rrezikut dhe paqëndrueshmërisë së qeverive. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH