Aktualitet

260 km në këmbë nga Prishtina në Tiranë brenda 24 orëve, kush është "Marathonomaku" që vrapon për Festën e Flamurit

Shkruar nga Liberale

Ngjashëm me një Marathonomak, të përshkruar aq bukur në poezinë e Fan Nolit, është nisma më e re e shqiptarit nga Kosova, Erzen Zyberaj. Jo për të sjellë lajmin e çlirimit apo të fitores, por për të përcjellë në mënyrë simbolike idenë e një kombi, që feston më 28 nëntor Festën e Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në 1912, datë që bëri bashkë gjithë figurat politike dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Nën praninë e kryebashkiakut të Prishtinës, Përparim Rama, vrapuesi është nisur paraditen e sotme nga sheshi "Skënderbej" në Prishtinë. Ai do të përshkruaj 260 km, për të mbërritur të martën, më 28 nëntor në sheshin "Skënderbej", në Tiranë.

"Ky vrapim është një shprehje e vërtetë e dashurisë dhe respektit ndaj flamurit kombëtar. Atleti ynë po bënë një udhëtim të shkëlqyer për të sjellë bashkë me vete frymën e pavarësisë dhe lavdisë që flamuri simbolizon", shkruan Rama në Facebook.

Pak ditë më parë, atleti kishte lajmëruar në rrjetet sociale nismën e tij të veçantë.

"Për atë që guxon, asgjë s'është e pamundur. Bota u përket guximtarëve!"

JEMI NJË

Edhe pak ditë deri tek sfida e radhës 260km

Ata të cilët dëshirojnë të na bashkohen në vrapim, ditën e Hënë në ora 10:00 nisemi nga Sheshi Skënderbeut para Teatrit Kombëtar.

#260KM", shkruante ai.

Erzen Zyberaj njihet tashmë për vrapimet e gjata dhe sfidat që ai ka marrë në sportin e tij.

Përfaqësuesi i Kosovës në vrapimet e gjata dhe kampion në vrapimet malore dhe maratona, në muajin maj të këtij viti ndërmori një iniciativë të jashtëzakonshme, duke vrapuar 63 kilometra për vetëm 5 orë e gjysmë, me ritëm mesatar të vrapimit 5.14 minuta për kilometër.

Ai e filloi vrapimin e tij nga kryeqyteti, Prishtina – Fushë Kosovë – Drenas – Malishevë – Klinë – Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë, për të përmbyllur në Rahovec, vendlindja e tij.

Zyberaj me vrapime të gjata merret që prej dy vitesh dhe ka përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror “Berlin100 km” të këtij viti./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH