Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 26.701 numri i bizneseve të mëdha në Shqipëri, u rritën edhe në kohë pandemie

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Me hapjen dhe liberalizimin e tregut, sot pas tri dekadave, Biznesi i Madh në Shqipëri jo vetëm që ka siguruar stabilitet, por edhe po rritet me shpejtësi.

Lidhur me të ardhurat e arkëtuara nga tatimpaguesit e administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga të dhënat e siguruara nga “Liberale.al”, pesha specifike është 38.3% e totalit në rang kombëtar.  Gati gjysma e kontributit të të të ardhurave që mbledhin tatimet sigurohet nga Biznesi i Madh, çka tregon rritjen dhe rëndësinë që ka një i tillë.

Kategorizimi si Biznes i Madh, sipas legjislacionit tatimor shqiptar, është bërë dhe bëhet nga të ardhurat vjetore. Niveli i të ardhurave vjetore për kategorizimin si Biznes i Madh ka qenë dhe vazhdon të jetë, bazuar në nivelin e të ardhurave (8 milion lekë në vit). Nëse realizimi faktik i të ardhurave vjetore para 10 viteve më parë ishte nën këtë nivel 8 milion lekë/vit, legjislacioni shqiptar lejonte kalimin e tatimpaguesit në Biznes të Vogël.

Bazuar sa më sipër, Administrata Tatimore i tha “Liberale.al”, se monitoron dhe administron numrin e tatimpaguesve aktivë të regjistruar në Biznes i Madh, në fund të çdo viti.

Cili është trendi i rritjes së Biznesit të Madh në Shqipëri?

Çdo vit rritet me 1 deri në 2 mijë numri i bizneseve të mëdha, në vendin tonë. Edhe në periudhën para, gjatë dhe pas pandemisë, të dhënat zyrtare tregojnë se ky trend nuk është ndalur. Përkundrazi, nëse ka pasur tkurrje nga bizneset e vogla, apo mbyllje aktiviteti prej tyre, ka ndodhur e kundërta me bizneset e mëdha. Kjo për faktin se biznesi i vogël që ka operuar dhe ka pasur sukses në treg, pas disa viteve bëhet i madh. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të vogla, mbi gjysma e tyre, ashtu siç ndodh në botë, edhe në Shqipëri falimentojnë, si pasojë e ligjeve të tregut, pa mundur dot të gjejnë veten në treg. Kjo është edhe arsyeja pse Biznesi i Madh ka ruajtur trend rritës.

Nga të dhënat e siguruara nga “Liberale.al” prej Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton që numri më i madh i tatimpaguesve aktivë të Biznesit të Madh, është në tre vitet e fundit: më konkretisht në vitin 2019 (23,066), në vitin 2020 (24,410) dhe në vitin 2021 (25,623).

Numri i bizneseve të mëdha që u mbyllën apo falimentuan në kohë pandemie ishte dukshëm më i vogël krahasuar me ato që u rritën, sipas të dhënave zyrtare.

Subjekte të çregjistruara në vitin 2020 ishin (2,228), në vitin 2021 u mbyllën (2,729) dhe në 2022 deri më sot (1,683), sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në total në të njëjtën periudhë çdo vit bizneset e mëdha janë shtuar, duke shkuar nga (24.410) në vitin 2020 në (26.701 në tetor 2022).

Sa është aktualisht numri i Biznesit të Madh në Shqipëri?

Numri subjekteve aktive që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë si Biznes i Madh, sipas shifrave zyrtare të DPT, është aktualisht 26.701. Prej tyre numri i regjistruar si Biznes VIP është 879. Biznesi “VIP” e mori një emër të tillë në kohën kur qeveriste Fatos Nano. Ish-ministri i Financave të qeverisjes së asokohe, Arben Malaj, i tha “Liberale.al” se regjistri i biznesit “VIP” u krijua fillimisht me 200 tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit, me qëllim që ata të mos hasnin pengesa në shërbime, për shkak të volumit dhe rëndësisë më të madhe që kishte aktiviteti i tyre, në ekonomi.

Sa biznese të huaja (edhe Biznes  i Madh) ushtrojnë aktualisht aktivitet në Shqipëri?

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të siguruara nga “Liberale.al” subjekte me pronësi të huaj aktive aktualisht janë 5.944. Nga këta subjekte të regjistruara si Biznes i Madh janë 2.092 subjekte. Ndryshe nga fillimi i viteve ’90, ku për investime dhe privatizimet e mëdha, kërkoheshin investime dhe ekspertizë e huaj, edhe pse aktualisht ushtrojnë aktivitetin mbi 2 mijë subjekte të huaja, krahasuar me rreth 26 mijë biznese të mëdha që ushtrojnë sot aktivitet në vend, ato nuk zënë as 10 për qind të peshës specifike.   /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH