Sociale

25 VITE MË PARË/ Kthehet Vacja, rebelja që theu norma! Një vend në Odeonin e Nderit

Shkruar nga Liberale

Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 19 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

Një vend në Odeonin e Nderit në 60 vjetorin e këngëtares

Kthehet Vacja, rebelja që theu norma

Disk të artë për legjendën që jeton. Zela themeluesja e shkollës së këngës së lehtë shqiptare

Këngëtarja e "harruar" rikthehet në qendër të vëmendjes. Prej disa kohësh e larguar në Zvicër për arsye shëndetësore, Vaçe Zela ka fituar tashmë një vend në Odeonin e Nderit të Tetarit të Operas dhe Baletit. Në mungesë të saj, artistja e cilësuar legjendë, është komentuar mes miqsh dhe kolegësh, si këngëtarja rebele. "Ajo nuk interpretonte atë që nuk i shkonte".

Tashmë prej vitesh jo e pranishme në skenë, Vaçja që shihet si themeluesja e muzikës së lehtë shqiptare, ndërsa këngët e saj kanë mbetur, u kthye edhe vetë në vendin ku ajo meriton të jetë.

Odeonit të Teatrit të Operas dhe Baletit i është shtuar dje edhe fotografia e këngëtares Vaçe Zela, në 60 vjetorin e lindjes së saj. Një diplomë e veçantë, një medalion dhe një shumë të hollash i janë dhënë dje familjes së Vaçes nga fondacioni "Dhora Leka". Ndërkohë është bërë e mundur dhënia e një "Disku të artë” për Vaçe Zelën.

Sesioni i organizuar me këtë rast ka mbledhur emra të njohur të muzikës shqiptare të cilët kanë sjellë përshtypjet, mbresat, kujtimet e tyre për këngëtaren Vaçe Zela si dhe për rolin e saj në muzikën shqiptare. Arian Avrazi, në emër të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku këngëtarja tashmë 60 vjeçare ka punuar për rreth 10 vjet, ka bërë një përmbledhje të veprimtarisë artistike të saj dhe ka përmendur kontributin që ajo ka dhënë në prezantimin dinjitoz të këtij institucioni. Avrazi është shprehur se "Njeriu plaket, ndërsa kënga jo".

Kompozitorët Tish Daija dhe Avni Mula kanë kujtuar ambiciet dhe "rebelizmin" e Vaçe Zelës, kjo kur këngëtarja këmbëngulte se teksti nuk shkonte, ose në insistimin e saj të vendosur për të interpretuar apo jo, një vepër që nuk i shkonte. Ndërsa Aleksandër Lalo këtë anë të këngëtares e ka cilësuar si një "thyerje të disa normave" dhe këmbëngulje, që duhet ta ketë çdo artist.

Kompozitori Limoz Dizdari, e ka cilësuar këngëtaren që ka dalë nga një familje me tradita, si një person që pavarësisht se jeton akoma, është kthyer në një legjendë, kurse këngëtarja Ema Qazimi, ka përmendur rolin e Vaçes si të parën që krijoi shkollën e re të këngës së lehtë shqiptare.

Janë përmendur në këtë sesion edhe sukseset e institucioneve në të cilat ka punuar Vaçe Zela, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe Estrada e Shtetit, tani Teatri i Varietesë, si brenda vendit edhe jashtë kufijve.

Këngëtarja jonë, që aktualisht jeton në Zvicër për arsye shëndetësore së bashku me familjen, para disa ditësh pasi ka marrë vesh nëpërmjet telefonit për vendosjen e fotografisë së saj në Odeonin e nderit, në hollin e teatrit të Operas dhe Baletit, është emocionuar shumë duke falenderuar të gjithë ata që kanë krijuar këtë mundësi.

Dhora Leka, në emër të fondacionit që mban emrin e saj, i ka dorëzuar familjes së Vaçe Zelës në 60 vjetorin lindjes së këngëtares, një diplomë për të vlerësuar punën e saj, një medalion si dhe një shumë të hollash me motivacionin "Për kontributin dhe interpretimin që i ka dhënë këngës së lehtë shqiptare".

Në njërin kënd të sallës ishin nxjerrë nga arkivi i Teatrit të Operas dhe Baletit, fotografi të ndryshme, fletëpalosje të festivaleve, artikuj gazetash e revistash të publikuara në shtypin e atëhershëm, fondin audio-vizual të këngëtares Vaçe Zela.

Vendosja e fotografisë në Odeonin e Nderit, në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, është një iniciativë e drejtorisë së këtij institucioni. Përkrah 26 fotografive të emrave të njohur të muzikës e koreografisë shqiptare, dje i është shtuar edhe fotografia e këngëtares Vaçe Zela, ndërkohë që i vëllai i saj Hysni Zela, sot do të japë një koncert në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, kushtuar 60 vjetorit të lindjes së këngëtares, ku do të paraqiten pjesë shqiptare, ruse, meksikane, napolitane, romanca, pjesë nga kompozitorët Moxart, Verdi, Shubert etj. si dhe muzikë spirituale. ARDI PULAJ

 

Poll
SHQIPENGLISH