Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 248 lekë litri i naftës sot në Shqipëri, kriza e çmimeve dhe dallimi që kemi me Europën

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 248 lekë litri i naftës sot në

Aranit Muraçi

Bordi i Transparencës, që u ngrit për të bërë transparencën e tregut të karburanteve, ka pranuar të rrisë sërish këto ditë çmimin e tregtimit të naftës në vend, me 9 lekë më shumë nga vendimi i mëparshëm. Ishte rritja e katërt radhazi që u aprovua nga bordi, teksa një litër naftë tregtohet aktualisht me 248 lekë. Çmimi i naftës arriti rekord historik në vend, me 17 qershor, ku një litër naftë u tregtua për 265 lekë. Çmimi i benzinës ka pësuar një rënie të lehtë, ndërsa për gazin çmimi është rritur me 1 lek. Pavarësisht krizës globale, nuk ka ndryshuar çmimi i energjisë elektrike, kurse niveli i inflacionit në vendin tonë (7.5) llogaritet disi më poshtë se ai mesatar i BE-së (8.9).

Ndërkohë, siç dihet arka e shtetit, si gjatë gjithë viteve të tranzicionit, boshatiset më shpejt sesa mbushet, për shkak të nivelit të lartë të korupsionit, drejtuesve të paaftë të cilët kanë zhytur në borxhe institucionet shtetërore, apo keq-menaxhimit të fondeve publike. Shqipëria gati një vit më parë mori një obligacion me vlerë 700 milionë euro, i cili tashmë duhet shlyer me interesa më të larta, prej krizës. Sikurse duhet blerë me një çmim shumë të lartë në tregjet e huaja energjia elektrike. Ndaj edhe taksat e shumta të vendosura në çmimin e tregtimit të karburanteve kanë dhënë efektin e tyre pozitiv, në arkën e shtetit, me qëllim ndoshta shlyerjen e borxheve dhe mbulimin e kostove të tjera të papritura për autoritetet. Gjithsesi, qeveria shqiptare ndonëse me shumë vonesë ka paralajmëruar edhe ajo, për një ndërhyrje me qëllim për të lehtësuar konsumatorin, gjatë shtatorit.

Inflacioni për pak muaj ka shkaktuar një krizë të rëndë të kostos së jetesës, në të gjithë Evropën. Qeveritë po ndërhyjnë për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja që nuk po ndalet, e çmimeve të energjisë. Për shumë familje dhe individë këto ditë duket sikur pagat po avullojnë pasi inflacioni ka rritur ndjeshëm kostot e ushqimeve, karburantit. Indirekt është rritur transporti, lëndët e para, deri tek qiratë. Inflacioni arriti një nivel të ri historik prej 8.9 për qind në korrik, në Evropë dhe nuk ka asnjë shenjë që kriza energjetike të përmirësohet së shpejti. Madje Europa po përgatitet edhe mbi mundësinë që Rusia të ndërpresë plotësisht furnizimet e saj me gaz si hakmarrje për sanksionet perëndimore pas pushtimit të saj në Ukrainë.

Në një nga paralajmërimet më të zymta deri më tani, kryeministri belg Alexander De Croo tha se Evropa mund të përballet me deri në 10 dimra të vështirë si rezultat i bllokimit. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë kryesisht përgjegjëse për politikat e tyre kombëtare të energjisë. Rregullat e BE-së i lejojnë vendet anëtare të marrin secila masa urgjente për të mbrojtur konsumatorët e vendit të tyre nga rritja e kostove. Nga një vështrim se çfarë po bëjnë qeveritë në të gjithë kontinentin për të ndihmuar qytetarët e tyre, rezulton se shumë vende po u ofrojnë subvencione familjeve dhe individëve që të përballojnë “kostot e  jetesës”,  ose kanë vendosur të ulin taksat direkte mbi faturat e energjisë.

Mbretëria e Bashkuar   

Britania ka vendosur kufi mbi çmimin e energjisë, për kontratat shtëpiake, megjithatë  faturat janë rritur. Për shumicën e familjeve britanike, faturat e energjisë parashikohen nga analistët të rriten në rreth 4,136 euro, në vit. Parashikimet më pesimiste arrijnë në 7,090 euro, në vit. Qeveria premtoi në fillim të këtij viti një zbritje të faturës së energjisë prej 473 euro, për çdo familje. Familjet që hasin vështirësi për të përballuar jetesën, që mbahen me ndihma nga qeveria, do të marrin gjithashtu një pagesë prej 768 euro. Pensionistët do të marrin një pagesë shtesë prej 355 euro, para dimrit. Personat me aftësi të kufizuara do të marrin gjithashtu një pagesë prej 177 euro.

Italia

Italia miratoi në fillim të gushtit një paketë të re ndihme me vlerë rreth 17 miliardë euro për të mbrojtur bizneset dhe familjet nga rritja e kostove të energjisë dhe rritja e çmimeve të konsumit. Kjo ndihmë qëndron në krye të rreth 35 miliardë eurove të buxhetuara, që janë përcaktuar të shpërndahen nga janari me qëllim, për të luftuar krizën e kostos së jetesës. Një bonus prej 200 euro ishte planifikuar për t’u paguar në korrik e më tej, çdo muaj për italianët me të ardhura të ulëta dhe të mesme që të përballojnë krizën e çmimeve. Të ardhurat do të sigurohen kryesisht nga tatimi i kompanive që përfitojnë nga rritja e çmimeve.

Spanja

Ashtu si Italia, Spanja ka vendosur të tatojë ato kompani energjetike që përfitojnë nga rritja e çmimeve të energjisë dhe të përdorë paratë e mbledhura për të ndihmuar qytetarët e saj që të paguajnë faturat. Madridi ka ulur tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) në faturat e energjisë nga 21 për qind në 10 për qind, ndërsa gjithashtu ka ulur një taksë ekzistuese për energjinë elektrike nga 7 për qind në 0,5 për qind. Ashtu si Portugalia, Spanja aktualisht zbaton një kufi njëvjeçar mbi çmimet e gazit, të pranuar edhe nga Komisioni Evropian, i cili siguron që ato mbeten më të ulëta se mesatarja prej 50 euro për megavat-orë.

Franca

Franca ofron gjithashtu pagesa për qytetarët e saj, për të ndihmuar ata të cilët po përballen me kohëra të vështira, megjithëse me vetëm 100 euro kjo ndihmë është dukshëm më e ulët se në Angli dhe Itali. Por Franca ka detyruar ofruesin shtetëror të energjisë EDF të kufizojë rritjen e çmimit të shitjes me shumicë të energjisë elektrike në 4 për qind për një vit. Kjo lëvizje pritet të kushtojë 8.4 miliardë euro në arkën e shtetit. Taksa e brendshme për konsumin final të energjisë elektrike (TICFE) gjithashtu është frenuar nga 22,50 euro për megavat orë. në vetëm 1 euro për megavat orë, për të gjitha familjet dhe 0,50 euro për bizneset.

Danimarka

Në qershor, ligjvënësit danezë ranë dakord për një dhënie parash për të moshuarit dhe masa të tjera që arrijnë në 3.1 miliardë korona daneze (417 milionë euro), duke përfshirë një ulje të një takse mbi çmimet e energjisë. Parlamenti ka miratuar gjithashtu të ashtuquajturin “kontroll të energjisë”.

Gjermania

Gjermania, e cila po kërkon alternativa për të frenuar varësinë e saj të madhe nga gazi rus, është zotuar se do të ulë taksën e vlerës së shtuar për gazin natyror nga 19 për qind në 7 për qind deri në fund të marsit 2024. Gjermania miratoi gjithashtu dy paketa ndihme për një total prej 30 miliardë eurosh, për të ndihmuar qytetarët e saj nga rritja e papritur e çmimeve të energjisë këtë vit. Qeveria gjermane do të ofrojë dy ndihma me një tarifë fikse të energjisë, e para prej 300 euro, për të gjithë konsumatorët, e cila do t'u transferohet atyre nëpërmjet pagës. Familjet në nevojë do të marrin 100 euro shtesë për fëmijë, ndërsa personat me përfitime sociale do të marrin një pagesë shtesë prej 200 eurosh. Ata që marrin asistencë për strehim do të marrin një shtesë prej 270 eurosh. Gjermania ofron gjithashtu subvencione të transportit publik. Megjithatë, familjet gjermane do të duhet të paguajnë rreth 500 euro më shumë në vit për gazin për shkak të një takse të re – që do të vendoset nga tetori – duke ndihmuar kompanitë që të mbulojnë koston e zëvendësimit të furnizimeve ruse.

Holanda

Qeveria holandeze, e cila pret që inflacioni të arrijë në 5.2 për qind këtë vit, po u ofron familjeve që ajo ka përzgjedhur si në nevojë, një kompensim të vetëm të energjisë prej 800 €. Po ashtu është duke ulur TVSH-në për energjinë nga 21 për qind në 9 për qind dhe po kaq është ulur taksa për benzinën dhe naftën, një kufi i cili do të mbetet në fuqi deri në fund të vitit.

Greqia

Greqia ka shpenzuar rreth 7 miliardë euro në subvencione për energjinë dhe masa të tjera që nga shtatori i kaluar për të ndihmuar familjet, bizneset dhe fermerët që të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike e të gazit. Subvencionet thithin deri në 90 për qind të rritjes së faturave mujore të energjisë për familjet dhe 80 për qind të rritjes për bizneset e vogla dhe të mesme.

Norvegjia

Ndërsa çmimet në tregun e energjisë po rriten në mbarë botën, norvegjezët do të paguajnë vetëm një shumë të caktuar, e vendosur nga qeveria vitin e kaluar. Sipas një skeme të prezantuar nga qeveria në vitin 2021, norvegjezët i paguajnë faturat e plota vetëm kur çmimi është 70 korona (7 euro) për kwh. Kur faturat e energjisë kalojnë këtë prag, qeveria mbulon 80 për qind të totalit. Pavarësisht kësaj, norvegjezët me sa duket po hasin vështirësi për të paguar faturat e tyre dhe qeveria po shqyrton opsione të tjera për të ndihmuar familjet gjatë dimrit.

Bullgaria

Bullgaria miratoi në muajin maj një paketë prej 2 miliardë levash (1 miliardë euro) që synonte mbrojtjen e kompanive dhe konsumatorëve, me të ardhura të ulëta, nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve bazë të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë. Që nga korriku, qeveria po ofron gjithashtu një zbritje prej 0,25 leva (0,13 euro) për çdo litër naftë, benzinë dhe gaz të lëngshëm deri në fund të vitit, si dhe po heq akcizën për gazin natyror, energjinë elektrike dhe metanin. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH