Aktualitet

24 vjet nga çlirimi i Kosovës, krerët e shtetit homazhe te varri i ish-presidentit Rugova dhe në memorialin 'Adem Jashari'

Shkruar nga Liberale
24 vjet nga çlirimi i Kosovës, krerët e shtetit homazhe te

Sot janë bërë 24 vjet që kur Kosova u çlirua nga forcat paramilitare serbe dhe pikërisht në këtë ditë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999 do të ishte dita që do të shënonte fundin e luftës gati dy-vjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Për nder të 12 qershorit, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti bënë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Pas homazheve te varri i Rugovës ata bënë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi. Në orën 09:30, homazhe bëjnë edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Ndërsa, në orën 11:00, bëjnë nderim te Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s.

Hyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor, mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve. Refugjatët shqiptarë të Kosovës, të strehuar në Shqipëri, si dhe ata në Maqedoni, s’mund t’i ndalte asgjë, as vërejtjet për rreziqet nga fushat e minuara përgjatë brezit kufitar, për t’u kthyer sa më parë në shtëpitë e tyre, prej nga i kishte dëbuar dhuna serbe. Ata u kthyen në Kosovën e lirë.

Megjithatë, në kalendarin e festave të shtetit tonë, kjo ditë shënohet memorial si Dita e Paqes. Ende nuk ka një datë unike, e cila do të festohej si ditë e çlirimit të Kosovës. Edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë kërkuar që 12 qershori të shënohet si Ditë e Çlirimit e jo e Paqes.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH