Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Durrës ku një 24 vjeçare pas një konflikti me bashkëshortin e saj dyshohet se është vetëhedhur nga ballkoni i shtëpisë,,.
Burime për abcnews.al bëjnë me dije se viktima është Anisa Gjini 24 vjeç , ndërsa bashkëshorti i saj Alfred Gjini është vënë në pranga nga policia për të sqaruar më tej ngjarjen.
Ndër të tjera mësohet se çifti kanë një djalë të vogël tre vjeç. Fqinjët e çiftit në një prononcim për abcnews.al bëjnë me dije se nuk kishin dijeni nëse mes çiftit kishte pasur më parë probleme.
“Ne i njihnim si njerëz të mirë, skam pasur asnjë informacion se kanë shkuar keq. Ata kanë një fëmijë. Nuk di që të ketë pasur ndonjë problem shëndetësor”, ka thënë një fqinje.
Ndërkohë, një tjetër thekson se menjëherë pas ngjarjes bashkëshorti i 24 vjeçares e ka dërguar në spital, por fatkeqësisht ajo ka ndërruar jetë.
“Kam qenë në gjumë kur ka ndodhur ngjarja. E ka dëgjuar burri. Më thirri, dhe kur shkuam ne bashkëshorti i saj e kishte dërguar në spital, nuk e kam parë. Nuk kam dëgjuar që të kenë zënka me njëri tjetrin. Ai punon ndërtim, ndërsa ajo ka pas punuar te fabrika e këpucëve. Kanë një çun të vogël”, është shprehur ajo.