Aktualitet

23 vjetori i shfaqjes së UÇK, Basha nderon heroin e luftës

               Publikuar në : 21:33 - 28/11/20 liberale

Kreu i PD Lulzim Basha me rastin e 23 vjetorit të shfaqjes së UÇK-së ka  nderuar heroin e luftës së Kosovës, Skerdilajd Llagami.

Në një vizitë në familjen Llagami, Basha shkruan se kujtuan me mall dhe nderim të veçantë heroin e luftës për pavarësinë e Kosovës, Llagamin – Komandant Shpendin – si dëshmi e pavdekshme e lidhjes së pakëputur mes shqiptarëve. Këtu ai ka dhënë edhe mesazhe të koduara duke e quajtur detyrë mbrojtjen e sakrificës së tyre nga shpifjet.

“Sot, 23 vite më parë u shfaq publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Më 28 nëntor të vitit 1997, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, ishin të parët që dolën para opinionit publik, në varrimin e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci.

Për të gjithë ata që ende nuk e dinin krijimin e UÇK-së, ky ishte një lajm i madh dhe i shumëpritur. Sot ne nderojmë dhe përulemi para sakrificës se luftëtarëve të UÇK-së, shumë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ne shqiptarëve, nuk na kanë penguar kufijtë e ngritur padrejtësisht mes nesh për të shtrirë dorën e ndihmës drejt njëri-tjetrit. Të shumtë ishin djemtë e Shqipërisë që iu bashkuan kësaj lufte, ndër të cilët dëshmorët e kombit Indrit Cara – ushtar Kavaja dhe Skerdilajd Llagami-Komandant Shpendi.

Në një vizitë në familjen Llagami, kujtuam me mall dhe nderim të veçantë heroin e luftës për pavarësinë e Kosovës, Skerdilajd Llagamin – Komandant Shpendin – si dëshmi e pavdekshme e lidhjes së pakëputur mes shqiptarëve. Ai e blatoi jetën e tij në altarin e kësaj të vërtete mbarëkombëtare”, shkruan Basha.

Basha shkruan se me babain e tij ka folur për detyrën që kanë sot, që sakrificën e djalit të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të mos e lejojmë të cënohet nga shpifjet dhe balta e atyre që sipas tij rreken ta barazojnë agresorin dhe xhelatët me viktimat e agresionit.

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back