Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 22 milionë dollarët e "Rilindjes" së Piramidës

Shkruar nga Liberale

Piramida, për dekada me radhë, u sillte në kujtesë shqiptarëve një regjim brutal që u shoqërua me prapambetje dhe zhgënjime po aq të mëdha. Tani, është simbol i një qyteti që aspiron të jetë "Tel Avivi i Ballkanit" përmes teknologjisë së lartë.

Për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ndryshimi prej një investimi prej 22 milionë dollarësh i piramidës tregon se si e imagjinon ai kryeqytetin e së ardhmes: si "Tel Avivi i Ballkanit", një qendër e teknologjisë së lartë, që ofron vende pune dhe një qytet premtues për një vend që ishte aq i varfër dhe i izoluar, duke mbetur larg botës moderne, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, i cili deri kur vdiq në 1985, ndaloi edhe makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra.

“Hoxha në varrin e tij, kurse memoriali do të shndërrohet në festë të kapitalizmit, punës dhe së ardhmes,” tha Veliaj, teksa qëndronte në majë të piramidës, e cila është rreth 70 metra e lartë, pranë një yll gjigant të kuq të bërë prej qelqi. Skica e yllit është ende e dukshme në betonin që e strehoi atë, kujtim i fantazmës së katër dekadave të Shqipërisë nën sundimin brutal komunist.

“Duhet të kishte shpërthyer në të kaluarën, por do të shpërthejë në të ardhmen,” tha kryebashkiaku për piramidën, duke lënë mënjanë faktin se Shqipëria është ende një nga vendet më të varfra të Evropës dhe është bërë më e njohur si një burim i migrantëve ekonomikë për të tjerët sesa për inxhinierë softuerësh.

[caption id="attachment_1330663" align="alignnone" width="874"] Veliaj në majë të Piramidës, duke ndjekur ecurinë e punimeve[/caption]

Megjithatë, pas dekadash dhe planeve të mëdha e të dështuara për piramidën, shpresa mbetet e madhe. Ndërtesa e cila do të ketë hapësirë për organizime shkollore, kafene dhe zyra të kompanive teknologjike, është planifikuar të hapet për publikun në fund të këtij viti.

E ndërtuar në fundin e viteve 1980 për të përkujtuar tiranin e vdekur, në stilin faraonik, piramida prej betoni dhe qelqi në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, me rënien e komunizmit nisi të shkatërrohej, por inxhinierët dhe punëtorët e ndërtimit arritën për ta shpëtuar. U thyen xhamat. Të pastrehët flinin në sallat e saj, e cila mbante mbishkrime dhe erë të keqe prej urinës. Shishe dhe shiringa të zbrazëta mbulonin dyshemenë, e mbuluar me mermer të lëmuar kur piramida - një faltore e diktatorit të ndjerë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha - u hap për herë të parë në vitin 1988. Por pas vitit 1991 ishte zhveshur nga vandalët dhe hajdutët.

“U kthye në një gërmadhë”, kujton Genci Golemi, inxhinieri i kantierit, në vizitën e tij të parë. “Gjithçka ishte vjedhur.” Tani, pas dy vitesh punë për rindërtimin, ndërtesa po kthehet në një tempull rrezatues për shpresat ambicioze të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj.

Shumë vende në skajin lindor të Evropës dikur komuniste kanë ndezur debate, se çfarë duhet të bëjnë me strukturat masive të mbetura nga e kaluara që shumica e njerëzve do të donin ta harronin.

Winy Maas, arkitekti kryesor i MVRDV, një firmë holandeze që udhëhoqi ridizajnimin e piramidës së Tiranës, tha se rigjallërimi i tiranisë për të festuar me të, është shoqëruar gjithmonë me “vendime të vështira”, por shtoi se pavarësisht se sa të vështira janë fillimet e një ndërtese, prishja është “rrallë një opsion i mirë.”

Ai tha se ishte frymëzuar nga rindërtimi i Rajhstagut në Berlin, nga arkitekti britanik Norman Foster, i cili i shtoi kube xhami një ndërtese të lidhur prej kohësh me të kaluarën naziste të Gjermanisë dhe e ktheu atë në një simbol të mbushur me dritë, për demokracinë moderne të gjermanëve.

Gjatë gjithë këtij udhëtimi të turbullt, piramida e Hoxhës u shfaq mbi Tiranë, duke u prishur ngadalë dhe dukej sikur tallej me çdo qeveri që ndërrohej në Shqipëri, përmes kujtimeve të saj dhe një sistemi stalinist që pakkush dëshironte ta kthente, zëvendësimi i të cilit kishte ushqyer kaq shumë zhgënjim. Shqipëria ishte kombi i fundit në Evropë që hoqi dorë nga komunizmi, kur në vitin 1991 pranoi pluralizmin politik, me një furi sulmesh ndaj statujave të Enver Hoxhës, sallës së tij përkujtimore dhe gjithçka që ai përfaqësonte. Por shpresat për një epokë të re të prosperitetit demokratik u thyen nga trazirat e mëdha kur skemat piramidale financiare (modeli  “Ponzi” në SHBA), u shembën në 1997, duke shkaktuar protesta të dhunshme mbarëkombëtare që e shtynë vendin drejt luftës civile.

Situata më pas u qetësua, duke i hapur rrugën Shqipërisë drejt aspiratave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në 2009, si dhe për të fituar statusin e kandidatit në 2014. - “Fantazma e Hoxhës ishte kudo dhe e frikshme për të gjithë”, kujton Frrok Çupi, një gazetar, i emëruar në vitin 1991 për të menaxhuar piramidën, e cila supozohej të bëhej më vonë një qendër kulturore.

Një nga detyrat e tij të para dhe më të frikshme, tha Çupi, ishte të hiqte qafe një statujë mermeri prej 22 tonësh të diktatorit në sallën kryesore. Heqja e saj, besonte ai, ofronte shpresën e vetme për të shpëtuar piramidën nga turmat e zemëruara antikomuniste, që donin të shkatërronin të gjithë ndërtesën.

Statuja ishte aq e madhe dhe e rëndë sa lëvizja e saj rrezikonte të thyente dyshemenë dhe të rrëzonte piramidën. Ambasada italiane propozoi ngritjen e statujës nga çatia me helikopter. Të tjerë sugjeruan prerjen në copa me një sharrë të veçantë. Në fund, Llesh Biba, një regjisor i ri teatri që punonte si zdrukthëtar në piramidë, iu vërsul Hoxhës me një vare, duke i goditur pa pushim në kokë dhe në trup. - “U ndjeva shumë mirë të godisja Hoxhën,” kujton Biba, tashmë skulptor. - “Askush tjetër nuk guxoi. Ata ishin të gjithë të shqetësuar për të shpëtuar lëkurën e tyre.” Megjithatë, pasi mbaroi punë, Biba u shtrua në një spital me probleme serioze në mushkëri nga frymëmarrja prej pluhurit që çliruan copat e mermerit.

[caption id="attachment_1330668" align="aligncenter" width="600"] Llesh Biba[/caption]

Gjendja shëndetësore e Bibës krijoi atë që u bë një model i gjatë fatkeqësie, lidhur me një ndërtesë që “dukej e mallkuar”, sipas Martin Matës, bashkë-drejtues i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Investimeve, i cili ndihmoi në financimin e punës së rindërtimit.

Duke mos pasur para mjaftueshëm për ta mbajtur piramidën të funksiononte si qendër kulturore, autoritetet e kthyen atë në një pronë me qira. Klubi i parë i natës në Shqipëri zuri vend në fillim të viteve 1990. Agjencia amerikane e ndihmës USAID, një stacion televiziv dhe kompania Pepsi zënë vend tek ambjentet e Piramidës. Ato u ndoqën nga NATO, e cila ngriti një zyrë atje gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Me kalimin e viteve, piramida filloi të shpërbëhej, u pushtua nga banorët dhe u mbush me të rinj që përdorën muret e saj të jashtme të pjerrëta prej betoni, për rrëshqitje. Planet e guximshme për t'i dhënë ndërtesës një kuptim të ri vinin dhe shkonin, përfshirë edhe një projekt të dështuar, të promovuar nga një ish-kryeministër shqiptar, Sali Berisha, për ta kthyer piramidën në një teatër të ri kombëtar. Në vitin 2010, piramida ishte bërë një simbol aq i turpshëm dështimi, saqë ligjvënësit deshën që ajo të shembej dhe u kërkuan arkitektëve austriakë të krijonin një plan për të ndërtuar një ndërtesë të re Parlamenti në vend të saj. Edhe kjo përpjekje dështoi.

Maas, arkitekti i godinës së re, tha se gjatë rinovimit, ai u përpoq të “kapërcejë të kaluarën, jo ta shkatërrojë atë”, duke ruajtur strukturën bazë të piramidës, si dhe duke e hapur atë më shumë ndaj dritës së diellit dhe po ashtu, duke modernizuar brendësinë për ta pastruar atë nga lidhjet me zymtësinë e së kaluarës së Shqipërisë.

Si nostalgji për kujtimet e bukura që shumë të rinj të Tiranës kanë nga rrëshqitja e shpateve të piramidës, dizajni i ri përfshin edhe një zonë të vogël për rrëshqitje. Megjithatë, shumica e mureve të jashtme do të jenë të mbuluara me shkallë, në mënyrë që vizitorët të mund të ecin deri në majë. Do të ketë edhe ashensor.

Por jo të gjithë e pëlqejnë dizajnin e ri. Biba, i cili shkatërroi statujën e mermertë të Hoxhës më shumë se 30 vjet më parë, përçmoi piramidën e rindërtuar si një marifet i shkëlqyer i marrëdhënieve me publikun nga ana e kryeministrit. Por Frrok Çupi teksa mbështeti kërkesat për shembjen e godinës, tani vlerëson ridizajnimin si një tregues se Shqipëria mund të kapërcejë fantazmat e saj komuniste dhe demonët postkomunistë. “Ne të gjithë donim të ishim pjesë e Perëndimit, por nuk e dinim vërtet se çfarë do të thoshte kjo”, tha ai. “Piramida tani është transformuar totalisht dhe kjo më jep shpresë për këtë vend.”

Artikulli marrë nga New York Times, me titull në origjinal: Despised Dictator’s ‘Scary’ Shrine Becomes a Bet on Albania’s Future "https://www.nytimes.com/2023/02/19/world/europe/tirana-albania-hoxha-pyramid.html"

Përgatiti: A.Muraçi/ Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH