Universitet

2018-2020, prag-diplomimi për 5 programet e para profesionale në UET

Shkruar nga Liberale

Nga Luiza Pinderi

Universiteti Evropian i Tiranës diplomon këtë korrik brezin e parë të studentëve të drejtimit profesional. Risia e sjellë prej vitit akademik 2018-2019, nuk ishte një eksperimentim, por ishte një domosdoshëmëri, një rrugzgjidhje dhe një mundësi për studentët, dhe nga ana tjetër, një shërbim për tregun e punës në Shqipëri.

Se sa e munguar ishte kjo diplomë, këtë e tregoi numri i studentëve të regjistruar në UET, që për 1 vit ky numër gati u trefishua, pra nga 77 që u regjistruan në vitin 2018-2019, në vitin e ardhshëm akademik 2019-2020, ky numër shkoi në 217. Projektimet e së ardhmes mbeten shumë pozitive.

Me ndryshimet në arsimin e lartë, për shkak të reformimit që filloi në vitin 2015, dyert e universitetit u mbyllën për shumë të rinj, të cilët nuk kishin mesataren e duhur, ose vinin nga një formim profesional. Vështrimi filloi të hidhej drejt arsimit të lartë profesional, si alternativë për të ardhmen e të rinjve, por edhe tregun që përshtatej ndaj kërkesave të reja të shoqërisë. Nisur nga këto zhvillime, Universiteti Europian i Tiranës në vitin 2018, solli diploma profesionale 2 vjeçare, në pesë programe të ofruara nga tre fakultete të UET, përkatësisht:

- Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit ofron 3 diploma profesionale: Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm.

- Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale mundëson diplomën profesionale Dizajn i Aplikuar dhe Modë.

- Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës ofron alternativën e tij, Aplikime Informatike . Një diplomë profesionale ka disa benefite. Duke qenë 2-vjeçare, ajo kursen kohën e studentit në auditore, por edhe përshpejton daljen e tij në punë. Një numër i lartë studentësh e marrin drejtimin e tyre profesional që në arsimin e mesëm, prandaj kjo diplomë i thellon në profesion dhe i përgatit për t’u përballur me sfidat e reja të punës. Në të tillë mënyrë gjasat janë më të mëdha, që një student i profilizuar, i kompeltuar edhe me njohuritë praktike, të jetë më i preferuar në punë, sesa një student me bachelor, i cili tashmë qëndron vetëm në formimin teorik dhe nuk ka eksperiencë praktike. Për këtë arsye, diploma profesionale të jep më shumë mundësi për t’u punësuar. Përveç kursimit të kohës, diploma 2-vjeçare është edhe kursim parash, sepse normalisht zgjat më pak dhe rrjedhimisht ka kosto më të ulët, por nga ana tjetër të jep mundësinë të fitosh më shumë për shkak të daljes së hershme në punë.

Dekani Elvin Meka: Diploma Profesionale – zgjedhja e përshtatshme për formim dhe kompetenca profesionale në tregun e punës

Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, njëkohësisht edhe Përgjegjës i Departamentit të Ekonomiksit dhe Zhvillimit në UET, tregon domosdoshmërinë e një arsimi të lartë profesional, në mënyrë që formimi i fuqisë punëtore të mos mbetet tek shkolla e mesme profesionale, por të kualifikohet me një diplomë universitare.

“Historikisht, UET ka qenë në pararojë të diskutimeve dhe opinioneve për zhvillimin dhe promovimin e shkollave të formimit profesional, përtej modelit të konsumuar klasik të shkollave të mesme profesionale 3 vjeçare, me të cilat mbyllej dhe formimi akademik i fuqisë punëtore që nuk vijojnë më studimet e larta. Kemi qenë përherë të mendimit që, shkollat profesionale duhet te jene 3 vjet shkollë e mesme profesionale, si gjithë sistemi i arsimit të mesëm dhe 2 vjet kolegj profesional, i vendosur në nivelin e Ciklit të Parë të studimeve universitare Bachelor. Kjo për faktin se, Shqipërisë i mungon ende një fuqi punëtore e kualifikuar, e cila nuk mund të krijohet thjesht nga një arsim profesional i vendosur vetëm në nivelin e arsimit të mesëm”, shprehet Meka.

Lidhur me futjen e konceptit të diplomës profesionale, profesori përmbledh në 3 pika rëndësinë e kësaj diplome në formimin e studentëve dhe kushtëzimet e tregut. Sipas tij, “një diplomë profesionale gjykohet se ndihmon në:

1. Krijimin e profesionistëve të lartë të specializuar ngushtësisht në profesione, pasi prodhimi dhe industria e shërbimeve, aktuale dhe e ardhshme, kërkon persona të specializuar, me dije përtej shkollave të mesme,

2. Licencim më të shpejtë dhe efikas të profesioneve që kërkojnë licencim, ku dijet shtesë pas shkollës së mesme nëprogramet e Diplomës Profesionale ndihmojmë thelbësisht,

3. Tërheqje më të madhe tëtë rinjve drejt arsimit të mesëm profesional, duke u dhenë atyre një perspektivë më të mirë, në drejtime të tjera universitare, gjatë jetës së tyre profesionale".

Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka, duke qenë Përgjegjës i Departamentit të Ekonomiksit dhe Zhvillimit në UET, brenda të cilit ofrohet programi studimor Kontabilitet, shpjegon përfitimet që kanë maturantët apo studentët që zgjedhin të vazhdojnë në këtë drejtim profesional. Sipas tij, programi kompleton studentin si teorikisht edhe praktikisht, lidhur me profesionin e kontabilistit dhe financierit.

“Programi i Diplomës Profesionale në Kontabilitet ofron dije dhe njohuri praktike mbi kontabilitetin si dhe mundësi të mira për aftësim profesionalnë këtë drejtim dhe disiplinë pune. Natyrisht që ofrimi i këtij programi nga UET vjen si rrjedhojë e një analize të kujdesshme mbi kërkesat e tregut akademik nga njëra anë, por edhe të nevojave të tregut të punës në vend. Programi është dizenjuar të pajisë më dije dhe aftësi praktike një grup studentësh, të cilët janë të interesuar kryesisht në nën-disiplinat e kontabilitetit (kontabilistëve), brenda fushës më të gjerë të financë - kontabilitetit.

Duke pasur në konsideratë këtë fakt, programi mësimor i këtij cikli që zhvillohet në dy vite akademike, është dizenjuar në mënyrë të tillë që kombinon dijet bazë teorike mbi kontabilitetin, bazën e njohurive ekonomike dhe financiare, me dije dhe aftësi praktike, lidhur me profesionin e kontabilistit dhe financierit. Konkretisht, programi mbështetet thelbësisht në lëndët me natyrë praktike dhe aplikative dhe plotësohet me një numër të mjaftueshëm lëndësh teorike, që plotësojnë formimin e duhur dhe të kërkuar teorik”, thotë Meka.

Sa i përket daljes në tregun e punës, profesor Meka jep alternativat e pozicionimit të këtyre studentëve në përfundim të marrjes së diplomës profesionale në Kontabilitet. “Ky program studimi synon që të përgatisë kontabilistë dhe financierë që mund të punojnë në veprimtaritë kryesore të kontabilitetit, në  njësi të ndryshme, apo dhe organizata (njësi publike dhe jo-publike), në ato pozicione që nuk përbën ekzigjencëdisponimi i domosdoshëm i një diplome Bachelor, apo Master.

Aktualisht, kur shërbimet e fushës së kontabilitetit po tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe ofrimi i tyre po merr gjithnjë e më shumë përmasa globale, është e pashmangshme që kjo do të kërkojë më shumë forcë pune për përballimin e operacioneve bazë dhe rutinore, që lidhen me kontabilitetin. Në këtë mënyrë, Diploma Profesionale në Kontabilitet gjendet në pozicionin e duhur për t’i dhënë studentëve mundësi të mira për punësim”, përfundon Meka, duke sqaruar se numri i studentëve që zgjodhën këtë program ka ardhur duke u rritur dhe një tendencë e tillë rritjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për shkak se vetë tregu po “ri-kalibron kërkesat e tij ndaj dijeve dhe kompetencave”.

Aurora Binjaku: Teknologjia digjitale po ndryshon jetën e njerëzimit

Përgjegjësja e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë, UET, Dr. Aurora Binjaku tregon më tepër për Diplomën Profesionale, Aplikime Informatike që ofrohet nga ky departament. Sipas saj, ky program iu jep një formim të plotë studentëve, në një kombinim mes njohurive të përgjithshme, njohurive karakterizuese dhe plotësuese.

“Programi synon të pajisë studentët me njohuritë bazë në fushën e informatikës duke vënë theksin më shumë në formimin e tyre praktik krahas atij teorik. Studentët përfitojnë njohuri në fushën e programimit, dizenjimit të faqeve web, rrjetave kompjuterike dhe sigurisë së sistemeve kompjuterike. UET ka infrastrukturën e duhur, madje me krenari pohojmë se së fundmi është investuar në një laborator të nivelit të lartë teknologjik, duke u dhënë mundësi studentëve të kryejnë punë praktike. Bashkëpunimi me pedagogët dhe studentët e tjerë, bën që ata të zhvillojnë aftësitë e tyre ndërpersonale dhe teknike duke i ndihmuar në përparimin e tyre hap pas hapi në sferën akademike”, tregon Binjaku.

Profesorja shpjegon më tej se kërkesat për specialistë në fushën e Teknologjisë së Informacionit janë duke u rritur, prandaj rekomandohet edhe programi Aplikim Informatike. Pranimi në këtë program përfshin të njëjtat kritere që kërkohen për pranimin në institucionet e arsimit të lartë.

Teknologjia digjitale çdo ditë e më shumë po ndryshon jetën ekonomike, politike e sociale të njerëzimit. Aplikimet shtohen pa reshtur në çdo sferë të zhvillimit, e për këtë mund të themi se jetojmë në një shoqëri informacioni. Sistemet e informacionit kanë gjetur aplikime kudo. Përpunimi i të dhënave dhe dërgimi i informacioneve kërkojnë vazhdimisht produkte të reja dhe hapësira të reja mbështetur në projekte të reja të fushës së Teknologjisë së Informacionit dhe zbatueshmërinë e tyre. Për shkak të këtyre kërkesave gjithnjë e në rritje për burime profesionale dhe të kualifikuara, studentët kanë mundësi të shkëlqyera për punësim”, thotë përgegjësia e departamentit.

Më tej Binjaku shpjegon konkretisht edhe vendet ku studentët që diplomohen në këtë degë, kanë mundësi të punësohen.

“Studimi në profilin e Informatikës ofron mundësi të shumta punësimi në zbatime të informatikës, instalime softëare-ike, mirëmbajtje kompjuterash, pastrim nga viruset, mirëmbajtje rrjetash, krijim faqesh webi, administrator rrjetash lokale, webmaster. Diploma Profesionale në Aplikime Informatike i hap mundësi studentëve tanë të punojnë në sektorë publike dhe jo-publikë, si:

-Në të gjitha strukturat qeveritare qendrore dhe vendore

-Sistemin Bankar dhe institucionet e ndryshme financiare dhe jo financiare.

- Koorporatat e Telefonisë Mobile, Kompanitë e Internetit dhe të gjithë Kompanitë që ushtrojnë veprimtarin e tyre në fushën e Teknologjisë së Informacionit

- Organizata tregtare, të cilat kanë investuar në sisteme informacioni, marketing digjital dhe e-commerce

-Organizatat e ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë e tyre me qëllim jo fitimi (OJF), dhe organizata dhe organizma të ndryshëm të huaj dhe ndërkombëtar që ushtrojnë veprimtari në vendin tonë”, sqaron pedagogia.

Ermir Nika: Profesioni i stilistit tejet i kërkuar dhe me fushë mjaft të zgjeruar veprimi

Doktori i Shkencave, Ermir Nika, përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, shpjegon se ky departament ofron Diplomën Profesionale në programin Dizajn  i Aplikuar dhe Modë.

Për një periudhë dy vjeçare studenti merr formimin e duhur sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, të cilat përmbushin jo vetëm aspiratat e studentit, por edhe kërkesat gjithmonë në rritje të një tregu dhe ekonomie të hapur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Për të realizuar këtë cikël studimesh, krahas trupës së zgjedhur pedagogjike dhe literaturës së përditësuar, në UET ekziston edhe një infrastrukturë me klasa dhe laboratorë të posaçëm, në të cilat krahas leksioneve aplikohen edhe metodat më specifike për rritur dhe bërë me efikase, shkallën e përgatitjes së studentëve që do të diplomohen në këtë program studimi”, sqaron Nika.

Profesor Nika thotë më tej se Shqipëria është pjesë e një tregu të integruar dhe është rritur mundësia e bashkëpunimit me profesionistë të fushës së dizajnit dhe stilimit. Për rrjedhojë, dëshira dhe pasioni i të rinjve duhet të plotësohet më tej, nëpërmjet formimit akademik, për të qenë pjesë e industrive të vogla e të mesme.

Jam i mendimit se dëshira e të rinjve të sotëm, veçanërisht maturantëve nuk mundet të mbetet vetëm në suazën e pasionit. Shqipëria sot është pjesë e një tregu të hapur dhe mjaft të integruar sa i përket kërkesave dhe parametrave gjithmonë në rritje për bashkëpunimin me profesionistë të vërtetë sa i përket dizajnit, stilimit dhe prirjeve të ndryshme në industri, veçanërisht në atë të veshjeve dhe modës. Profesioni i stilistit, që synon kjo diplomë, është një profesion i cili është bën pjesë në përparësitë e industrive të vogla dhe të mesme dhe për rrjedhojë sot përbën një profesion tejet të kërkuar dhe më fushë mjaft të zgjeruar veprimi”, thotë Nika.

Ashtu si edhe në programet e tjera, regjistrimi në këtë program nuk ka ndonjë kriter të caktuar, tashmë që edhe mesatarja nuk është më kriter përcaktues. Kështu që studentët, mund të regjistrohen kundrejt një procedure të thjeshtë, për të hapur më tej dyert e karrierës dhe zhvillimit profesional.

“Mundësitë e punësimit në këtë profesion janë të shumta dhe duke qenë se vendi ynë sot jo vetëm prodhon për të përmbushur nevojat e tregut vendas, por edhe po rrit ndjeshëm eksportet sa i përket prodhimeve të veshjeve si edhe kontraktimi me mjaft kompani të njohura ndërkombëtarisht, por sjell një kërkesë gjithmonë në rritje për profesionistë në këtë fushë, një kërkesë së cilës Universiteti Evropian i Tiranës i përgjigjet me përgatitjen e një plejade studentësh që mund t’i ofrohen denjësisht çdo kompanie, vendase apo edhe të huaje”, përfundon Nika, duke shtuar se edhe në këtë program vihet re një rritje e kërkesës, për shkak të nevojave të shumanshme në tregun dhe industrinë e qëndrueshme, e cila gjithashtu po shfaq gjithnjë e më tepër konsolidim dhe integrim me tregun rajonal, evropian e më gjerë.  

Studentët e UET rrëfejnë eksperiencat e tyre

Për të kuptuar thelbësisht rëndësinë e një diplome profesionale, duhet zëri i atyre që kanë bërë një zgjedhje të tillë, studentët. Disa prej tyre, sjellin këndvështrimin dhe eksperiencën në UET, që në momentin që vendosën të ndërmarrin këtë hap deri tek rruga e finalizmit dhe ecja për më tej. Një rrugë aspak rastësore, diku e udhëhequr nga pasioni, diku nga drejtimi i marrë profesional apo biznesi e diku nga kërkesat e tregut të punës në vendin tonë.

Edlira Konaj është në vitin e dytë të studimit në programin Kontabilitet. Edhe pse në pamje të parë duket një studente e zakonshme, në fakt ajo është shumë më shumë se kaq. Përveçse një studente, është një nënë, një grua në karrierë dhe administratore e një prej kompanive të rëndësishme, pjesë e ‘Shala Group’. Edlira tregon se familjarisht kanë zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës, pasi edhe motra e saj vazhdon studimet në ciklin Bachelor. Historia e saj është mjaft interesante, duke shtuar edhe karakterin e natyrën e çiltër, bëhet vërtet një personazh inspirues, për të rinj që e shohin zhvillimin në Shqipëri.

Edlira tregon se arsimin e mesëm e ka përfunduar para viteve 2000 dhe në atë kohë nuk i kushtohej rëndësi e madhe mesatares, siç ndodh sot. Më tej ajo krijoi familjen e saj dhe emigroi drejt Italisë, ku solli në jetë dy fëmijët. Pas 10 vitesh qëndrim, edhe pse gjërat shkonin mirë me punën dhe të ardhurat, gjithsesi mbetej emigrante. Kështu që vendosi të rikthehej në vendin e vet, për t’u përfshirë në biznesin familjar, që kishte krijuar babai i saj prej 1998-ës dhe nga viti në vit vinte duke u rritur.

“Zgjodha të studioj Kontabilitet sepse punoj në kompaninë “Shala-trans”, kompani transporti e lëndës së parë, të cilën e drejtoj me babanë dhe 2 motrat. Pas kthimit nga Italia, iu përkushtova biznesit familjar dhe për këtë arsye më duhej ta plotësoja formimin tim me një diplomë universitare. Bashkë me motrën gjodhëm UET për plotësimin e formimit tonë profesional”, shpjegon Edlira.

Arblin Cukaj është në vit të parë në programin Aplikime Informatike. Pasioni i tij i hershëm për Informatikën, e orientoi drejt arsimit të mesëm profesional, për të vazhduar më tej edhe universitetin në të njëjtin drejtim.

Preferenca ime për degën e Informatikës ka filluar që në 9-vjeçare. Pasi mbarova arsimin bazë, vendosa që arsimin e mesëm ta zhvilloj në një shkollë profesionale 4-vjeçare për Informatikë. Më tej zgjodha UET për të vazhduar në një program profesional 2-vjeçar, pasi një diplomë e tillë të fut më herët në profesion dhe të jep mundësi të zhvillohesh më shpejt në atë drejtim”, tregon ai. Arblini tregon se në Shqipëri ka edhe institucione të tjera të arsimit të lartë që ofrojnë studimin në profesionin që ai ka zgjedhur, por që preferoi të vazhdontë në UET, për disa arsye.

“Performanca e pedagogve në UET është mjaft e lartë, ka korrektësi në të gjitha aspektet.  merr një formim mjaft cilësor. Do të veçoja gjithashtu, mënyrën e organizimit të mësimit, trajtimin e temave, afërsinë me studentët, elementë që e bëjnë diferencën me të tjerët. Nga ana tjetër, mundësia që të krijon UET për punësim, apo për të vazhduar specializime jashtë shtetit është e arritshme”, shprehet Arblini.

Arba Neli përfundoi vitin e parë në programin profesional Dizajn dhe Modë. Nuk është rastësi që Arba përfundoi në këtë degë. Ka qenë dëshira e saj dhe pasioni për të dizajnuar veshje apo objekte të ndryshme, që e tërhoqi drejt Universitetit Europian të Tiranës, i cili tashmë pej dy vitesh e ofron një program të tillë. Pse një diplomë profesionale? Arba është mjaft e fokusuar në këtë aspekt dhe mjaft të qartë për tregun e punës.

Zgjodha të marr një diplomë profesionale sepse çdo ditë e më tepër profesioni është i vetmi çelës që hap dyert në kohët e sotme”, thotë ajo. Sa i përket zgjedhjesë së UET, tregon se ka zjdhur këtë universitet për shkak të mundësive që ai të krijon.

“UET është i vetmi universitet i cili i jep studentit shumë mundësi për të përparuar dhe për të shfaqur talentin në çdo fushë, pavarësisht degës që studenti ka zgjedhur. UET nga aktivitetet e shumta na jep mundesine që të fitojmë bursa të ndryshmet. Se fundmi unë konkurrova në UET talent dhe u bëra fituese e gjysëmbursës”, tregon Alba, e cila u paraqit në këtë konkurs me një fustan të stiluar me letër, pasi siç shpjegon, veshjet prej letre janë më të suksesshmet dhe më të pëlqyerat në historinë e modës, por që kanë vështirësinë e tyre, sepse gjithçka duhet të jetë e matur mirë, në mënyrë që veshja të dalë ashtu siç duhet.

Arba e ‘dizajnon’ të ardhmen në ndjekje të pasionit dhe profesionit, falë edhe talentit është e bindur që mundësitë krijohen por edhe mund ta gjejnë rrugën drejt teje. “Pas mbarimit të studimeve mendoj të punesohem në profesionin tim dhe të përvetsoj më tepër njohuritë e marra gjatë periudhës së studimeve. Mjafton dëshira që t’i të punosh në profesionin tënd dhe mundësine mund ta krijosh edhe vetë, ama në qoftë se je e aftë mundesia vjen tek ti”, përfundon Arba. /Gazeta Liberale

Poll
SHQIPENGLISH