Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 2 milionë euro, qeveria i rikthehet amnistisë fiskale, a do ta shërojë ajo paligjshmërinë në ekonomi apo do ta përhapë ‘sëmundjen’ më keq?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 2 milionë euro, qeveria i rikthehet amnistisë

Aranit Muraçi

Amnistia e diskutueshme fiskale e propozuar nga qeveria shqiptare vazhdon të ndezë debate, teksa kryeministri Edi Rama këtë fundvit sfidoi hapur Perëndimorët, duke iu rikthyer asaj me idenë se kur të miratohet të gjithë do të shohin sesa e nevojshme ka qenë një e tillë për Shqipërinë.

Sipas propozimit, çdo shtetas i huaj apo shqiptar mund të depozitojë deri në 2 milionë euro para të padeklaruara në sistemin bankar shqiptar duke gëzuar imunitet ligjor dhe një taksë 5-10% apo deri në 20 përqind. Ligji i parë u kritikua ashpër nga FMN dhe BE, ndërsa edhe pas ndryshimeve, versioni i dytë ka qenë subjekt i diskutimeve të tensionuara mes qeverisë, BE-së dhe misioneve të ndryshme diplomatike në Tiranë.

Pak kohë më parë Rama mungoi në një takim mes ambasadorëve të BE-së, SHBA-së, Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Italisë dhe Britanisë së Madhe, ku Delegacioni i BE-së në Tiranë bëri thirrje sërish për rishikimin e tij.

Ndërkohë pas disa muaj heshtjeje, Rama në këtë fundvit tha se nuk do të tërhiqej nga nisma dhe kundërshtimet e të tjerëve i quajti “keqkuptime”. Kryeministri e motivoi dhe e lidhi më tepër nevojën e një amnistie të tillë, me faktin se paratë e emigrantëve, të cilët kanë punuar në të zezë, moralisht duhet të legalizohen në vendin e tyre të origjinës. Rama më tej shtoi se nuk mund të paragjykohen qindra mijëra emigrantë shqiptarë që kanë punuar ilegalisht dhe nuk mund të sjellin para në Shqipëri vetëm për 1% të tyre që janë përfshirë në krime.

Por në vend që ta shërojë, siç pretendohet, a mundet që ta përhapë amnistia “sëmundjen” e informalitetit në një shkallë më të madhe dhe më të gjerë në ekonomi, duke nxitur dhe më tepër paligjshmërinë, evazionin fiskal dhe aktivitet kriminale, nisur nga fakti se “shkelësit” e ligjit pas saj do të shohin shmangien e rregullave të lojës, si një mundësi tjetër dhe të mirë përfitimi, në të ardhmen. Si do të filtrohet paraja e fituar për shembull, me djersë nga emigrantët pavarësisht punës në të zezë, nga paraja e fituar në forma të tjera të paligjshme, me qëllim që moralisht ajo të jetë e pranueshme? Dhe cili ekip do ta monitorojë procesin, në një kohë kur dimë që ekonomia jonë operon aktualisht në një shkallë të lartë informaliteti dhe të njëjtat ekipe, veçanërisht ato të kontrollit tatimor, nuk kanë dhënë asnjë garanci për zbatimin e ligjit apo edhe në respektimin dhe garantimin e rregullave të lojës?

Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri në një shënim në faqen e FMN-së thotë se një operacion i tillë nuk është asnjëherë i lehtë, megjithatë është një alternativë. Por “çelësi i suksesit” qëndron te monitorimi i procesit apo vullneti për të rritur shkallën e formalizimit të ekonominë, pa dekurajuar pjesën tjetër të shoqërisë që respekton ligjin.

Mbi ekzistencën për një kohë të gjatë dhe shkallë të gjerë të ekonomisë informale, zbatueshmërisë së rezistencës së rregullave, dhe tolerancës publike ndaj praktikave informale, amnistia fiskale mund të jetë një mjet katalizator drejt zgjidhjes. Por vetëm, nëse një herë, ekzekutohet dhe mbështetet nga masa të tjera që mund ta bëjnë atë një paketë efektive. Pra, çështja është sesi duhet të realizohet ajo, që të pakësojë dhe, eventualisht, të eliminojë vazhdimin e aktiviteteve informale, evazionin fiskal dhe forma të tjera të shkeljes së rregullave.

Janë tri çështje kryesore që do të përcaktojnë rezultatin final, nëse një e tillë miratohet. Së pari, një proces që dallon qartë se kush ka të drejtën e transparencës dhe kush janë ata me të cilët një i tillë do të funksionojë, është e vështirë për t'u mundësuar nëse ai nuk do të ndiqet nga një grup i pavarur monitorimi i organeve ligj-zbatuese.

Së dyti, amnistia duhet të japë një mesazh të qartë se shkelja e ligjit nuk do të tolerohet në të ardhmen për të gjithë “shkelësit”. Koha e realizimit ose afati duhet të jetë e shpejtë, sepse vonesat rrezikojnë të çojnë në një “moral të rrezikshëm” ose në shfaqjen e praktikave të vjetra e të paligjshme, çka do të demoralizonte pjesën tjetër të ndershme dhe të ligjshme të ekonomisë dhe të shoqërisë.

E treta, është minimizimi i “moralit të rrezikshëm”, - një nocion sipas të cilit ajo që është e ligjshme a do të demoralizohet kur të falen, pa gjasa për t'u ndëshkuar dhe që eventualisht do të harrohen – ata që kanë shkelur ligjin. Shumë mund të ndjehen keq që kanë paguar gjithë jetën faturat ose kanë deklaruar të ardhurat, pasi që të gjithë ata që i kanë fshehur ato, thjesht duket sikur po ia hedhin. Ndjenja të tilla që mund të lindin nuk duhet të injorohen. Ndaj, çështja e tretë - që lidhet me të dytën, por dhe më e rëndësishme, - është papranueshmëria e demoralizimit të atyre që respektojnë ligjin, të çfarëdolloj shkalle qofshin ato.

Ka disa vende që e kanë miratuar amnistinë fiskale, në forma të ndryshme. Në Rumani u miratua një amnisti fiskale për interesat dhe gjobat mbi tatimpaguesit dhe u prezantua përpara pandemisë COVID-19, në vitin 2019. Por shfaqja e pandemisë dhe vështirësive ekonomike, me të cilat po përballeshin disa kompani çoi në një seri të re amnistish fiskale të miratuara në maj 2020. Në mars 2021 janë miratuar masa të reja fiskale. Qëllimi i tyre ishte parandalimi i akumulimit të borxheve të reja ndaj shtetit dhe shmangia e procedurave të reja të falimentimit, për shkak të masave të marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes së alarmit. Kontrolli tatimor në Rumani parashikonte një afat prej gati 9 muaj por udhëzonte bizneset që krahas faljes së detyrimeve të akumuluara të paguanin të gjitha detyrimet aktuale. Qëllimi ishte që të ndihmonte bizneset me borxhe të çliroheshin nga makthi i falimentit, ose të paktën ta nisnin nga një pikë tjetër e konsideruar “zero”.

Askush nuk i ka penguar deri tani ata shqiptarë, të cilët i kanë siguruar të ardhurat me punë apo aktivitete qoftë edhe gjysmë të ndershme (mjafton që paratë të mos kenë ardhur nga ndonjë aktivitet kriminal), për t’i formalizuar ato në ekonomi. Supozojmë se për një fermer të madh,  i cili mund të ketë siguruar 100 mijë euro të ardhura në vit dhe i është shmangur detyrimeve tatimore, nëse do të ekzistonte vullneti i duhur mund të ishte gjendur një formë apo mënyrë që ai t’i “legalizonte paratë” pa shumë zhurmë dhe debat.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH