Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 2 miliard euro investime vetëm nga BERZH, BE “rilind” hekurudhat shqiptare

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 2 miliard euro investime vetëm nga BERZH, BE

Aranit Muraçi

Nëse regjimi i Enver Hoxhës i ngriti për vite me radhë dhe kryesisht me punë vullnetare e sakrifica të shumta, por ato u shkatërruan dhe u lanë në mjerim të plotë gjatë viteve të tranzicionit, BE ka menduar t’i rikthejë së shpejti në funksionalitet të plotë dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Pasi të lidhet Tirana me Durrësin, linja hekurudhore do të zgjatet edhe në Aeroportin e Rinasit. Linja të tjera moderne hekurudhore që do të ngrihen së shpejti në ato ekzistuese, do të bëjnë të mundur të kalojnë nga Pogradeci drejt Maqedonisë së Veriut, nga Shkodra drejt Malit të Zi dhe kësisoj rrjeti ynë hekurudhor lidhet i gjithë me Ballkanin Perëndimor. Punimet për ringritjen e hekurudhave kanë filluar në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shumë shpejt infrastruktura hekurudhore e rajonit tonë, nga projekti për zhvillim i BE, nuk do të ketë thuajse asnjë ndryshim, me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë ndalimit në Tiranë vizitoi punimet e ndërtimit në hekurudhën Tiranë -Durrës, një projekt i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Ky projekt është pjesë e Korridorit Mesdhetar. Një vizitë të ngjashme, Ursula von der Leyen do të ketë në Shkup, për të parë punën që po bëhet në linjën hekurudhore të Maqedonisë së Veriut. Hekurudhat e rindërtuara do të lidhin përfundimisht pas shumë projektesh e premtimesh të pambajtura, portin më të madh të Shqipërisë në Adriatik, atë të Durrësit, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, me portin e Varnës në Detin e Zi, në Bullgari. BERZH ka derdhur 940 milionë euro për projektet hekurudhore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri më sot dhe planifikon të investojë pothuajse të njëjtën shumë - 840 milionë euro të tjera - në një periudhë tjetër afat-mesme (1.78 miliard euro). BERZH konfirmoi se po shqyrton aktualisht një tjetër investim të madh në sektorin hekurudhor shqiptar, për rehabilitimin e lidhjes hekurudhore në kufirin me Malin e Zi  dhe lidhjen me tren mes dy vendeve. Banka Europiane përfshi edhe këtë projekt do të mbështesë përfundimin e linjave hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, me një vlerë që shkon mbi 1 miliard euro. Investimi i mbështetur nga BERZH dhe BE përfshin gjithashtu ndërtimin e një linje të re hekurudhore që lidh Tiranën dhe Durrësin me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Remonti i parë i madh i hekurudhës shqiptare prej 34 kilometrash, Tiranë-Durrës, po përparon dhe pritet të mbyllet shumë shpejt, pas disa dekadash lënë në harresë. Punimet në të dy seksionet po kryhen nga kompania italiane “INC SpA”. Investimi në këtë projekt, me një vlerë totale prej 92 milionë eurosh, është bashkë-financuar me një hua prej 36.9 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant investimi prej 35.5 milionë eurosh të BE-së. Pjesa e mbetur e fondeve është siguruar nga qeveria shqiptare. Një shtesë prej 2.75 milionë euro grante nga donatorët dypalësh janë siguruar përmes WBIF. Rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës – një pjesë e së cilës është jofunksionale – do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe më të shpejta hekurudhore; shpejtësia mesatare aktuale është më pak se 60 km në orë. Në linjën e rikonstruktuar, koha e pritshme e udhëtimit do të jetë 22 minuta, ndërsa nga Tirana në aeroport udhëtimi do të zgjasë 12 minuta, me një shpejtësi deri në 100 kilometra në orë. Deri më sot, BERZH ka siguruar më shumë se 307 milionë euro financim dhe ka ndihmuar në mobilizimin e një financimi shtesë prej 300 milionë eurosh të BE-së për ndërtimin e projekteve rrugore dhe hekurudhore në Shqipëri. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH