Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 40.500 shqiptarë ndërruan shtetësinë në një vit, të parët në botë në raport me popullsinë. Çfarë origjine ka Messi?!

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Pas mbylljes së Botërorit në Katar është ndezur një “debat” mediatik nga “patriotë” të shumtë, dhe e gjitha kjo nuk është aspak surprizë; nëse është apo jo Lionel Messi me origjinë shqiptare. Messi sigurisht, idhull për Argjentinën dhe për miliona tifozë në mbarë botën, duhet t’a kishte thënë një fjalë nëse do të kishte origjinë shqiptare, pasi, ashtu siç Kupën e Botës e çoi në Argjentinë, ashtu edhe debatet për origjinën e tij të kahershme nuk kanë asnjë vlerë.

Gjithsesi, teksa të tilla pretendime janë zbehur disi këto ditë, Eurostat, Instituti Europian i Statistikave, ka rikthyer sot në vëmendjen e publikut 10 lajmet me statistikat që kanë pasur më tepër popullaritet gjatë vitit 2022. Dhe lajmi më popullor i vitit është ai, që shtetasit shqiptarë renditen të tretët në botë, pas marokenëve dhe sirianëve, dy vendet e para në botë për nënshtetësinë e fituar në një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por në raport në popullsinë zënë vendin e parë. Nëse i referohemi dhe i analizojmë më në detaje shifrat zyrtare të Eurostat, teksa vendi po shpopullohet vit pas viti dhe me shpejtësi të frikshme, nuk mbetet gjë tjetër si ngushëllim veçse shprehja e famshme e tifozëve kuqezi, “E sa mirë me qenë shqiptar!”

Shqiptarët që morën nënshtetësi në një nga vendet anëtare të BE-së në vitin 2020 ishin 40.500 (6 për qind), kundrejt 50.200 sirianëve që mbanin vendin e dytë (7 për qind) dhe  68.900 marokenëve në vendin e parë (10 për qind).  Në raport me popullsinë shqiptarët rezultojnë të parët në botë, pasi Siria, një vend ende në luftë ka mbi 18 milionë banorë, kurse Maroku rreth 38 milionë banorë.

Sipas Eurostat, në vitin e kulmit të pandemisë, 2020, shtetet Anëtare të BE-së i dhanë shtetësinë 729.000 personave, që jetonin ose punonin në territorin e BE-së, një rritje prej rreth 3% krahasuar me vitin 2019. Shumica e shtetësive të reja në vitin 2020 janë dhënë nga Italia (131.800, ose 18 % e totalit të BE-së), Spanja (126.300 ose 17 %), Gjermania (111.200 ose 15 %), Franca (86.500 ose 12 %), dhe Suedia (80.200, ose 11 %).

Nga ata që kanë marrë nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së, 85% kanë qenë shtetas të vendeve jo anëtare të BE-së, në vitin 2020, 29% e personave ishin marokenë, sirianë, shqiptarë, rumunë dhe brazilianë. Në të njëjtin vit, sipas shifrave zyrtare, më shumë të huaj fituan shtetësinë e një prej Shteteve Anëtare të BE-së, krahasuar me 706.400 që fituan shtetësinë në vitin 2019 dhe 672.300, në vitin 2018.

Marrja e shtetësisë nga gratë ishte më e madhe se nga burrat në të gjitha shtetet anëtare përveç nëntë prej tyre (Bullgari, Itali, Lituani, Hungari, Holandë, Rumani, Slloveni, Sllovaki, Suedi). Përqindja më e lartë e marrjes së shtetësisë nga gratë u regjistrua në Kroaci (60 %), ndërsa vendi me përqindjen më të lartë të marrjes së shtetësisë nga burrat ishte Rumania (63 %).

Në vitin 2020, mosha mesatare e personave që fituan shtetësinë në të gjithë BE-në ishte 33 vjeç. Shteti anëtar, me moshën mesatare më të ulët ishte Greqia: gjysma e qytetarëve të saj që fituan nënshtetësi ishin më të rinj se 18 vjeç. Mosha mesatare më e lartë (45 vjeç) ishte në Bullgari.

Shpërndarja e moshës ndryshonte nga një shtet anëtar, në tjetrin, për shkak të dallimeve në legjislacionin e shtetësisë dhe strukturën e moshës së popullsisë jokombëtare. Megjithatë, tipari i përbashkët që bashkonte të gjitha Shtetet Anëtare ishte se shumica e shtetësive të reja fitoheshin nga të rinjtë dhe se numrat bien me moshën. Në vitin 2020, 36 % e personave që iu dha shtetësia e një vendi të BE-së ishin më të rinj se 25 vjeç; 42% të tjerë ishin të moshës 25 deri në 44 vjeç, ndërsa ata të moshës 45 vjeç e lart përbënin 22%.

Midis atyre që kanë marrë nënshtetësinë e çdo shteti anëtar të BE-së, 23 % ishin fëmijë nën moshën 15 vjeç (0-14 vjeç); përqindjet më të larta ishin në Greqi (35 %), Francë (32 %), Slloveni (32 %) dhe Belgjikë (31 %). Në Lituani, asnjë fëmijë nën 15 vjeç nuk iu dha shtetësia në vitin 2020; vende të tjera me një përqindje të ulët të marrjes së nënshtetësisë nga fëmijët ishin Portugalia (7 %), Luksemburgu (6 %), Irlanda (6 %) dhe Bullgaria (4 %).

Në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, 8% e atyre që iu dha shtetësia ishin të paktën 55 vjeç. Bullgaria (30 %), Qiproja (25 %) dhe Lituania (20 %) kishin përqindjet më të larta të dhënies së shtetësisë për personat e moshës 55 vjeç e lart. Vendet me përqindjen më të ulët të qytetarëve të rinj e të moshuar ishin Rumania, Greqia, Estonia (secila me 5 %), Austria (4 %) dhe Sllovenia (2 %).

Shtetet Anëtare të BE-së që u dhanë shtetësi secilës prej 5 kombësive kryesore janë, përkatësisht:

Marokenët: Spanja (41%), Italia (26%) dhe Franca (19%)

Sirianët: Suedia (49%), Holanda (32%) dhe Gjermania (13%)

Shqiptarët: Italia (69 %) dhe Greqia (27 %)

Rumunët: Italia (40 %) dhe Gjermania (21 %)

Brazilianët: Portugalia (42%), Italia (30%) dhe Spanja (14%)

/Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH