Aktualitet

12,400 të rinj më pak të punësuar, arsyet pse nuk duan të punojnë moshat nën 29-vjeç

Shkruar nga Liberale
12,400 të rinj më pak të punësuar, arsyet pse nuk duan

Numri i të rinjve deri në moshën 29 vjeç, për 3 muajt e dytë të vitit 2023 sipas Institutit të Statistikave është rreth 12,400 persona më pak të punësuar, çka shënon një rënie prej 4.6%.

Edhe pse shifrat e punësimit vijojnë rritjen, sipas të dhënave të fundit të Instat, kjo grup-moshë nuk po shënon përmirësim në statistikat zyrtare.

Për ekspertin e Punësimit, Erion Muça, informaliteti dhe pagat jo të kënaqshme ndikojnë në këto shifra.

"Një pjesë e tyre punojnë dhe kanë të ardhura alternative por këto të ardhura nuk kuadrohen në statistikat zyrtare. Lidhet me të papunët e rinj të dekorajuar, si rrjedhojë e mungesës së interesit për mundësi dhe ofertat për punë që ka në Shqipëri, dhe pagat e ulëta", tha Muça për Rtsh-në.

Edhe të rinjtë e pakualifikuar apo edhe ato me një zanat kanë zgjedhur më mirë të punojnë larg vendit.

"Shqipëria, momentalisht ka nevojë për krahë pune me arsim elementar. Janë rreth 175 mijë për këtë kategori të punësuarish, të cilët nuk janë të interesuar për t’i bërë këto punë në Shqipëri, por në vende të rajonit ku merr rreth 5-fishin e pagës"shtoi ai.

Në portalin e punësimit aktualisht janë 3360 vende punë që ofrohen nga biznesi por gati 70% e tyre  i përkasin sektorit të industrisë përpunuese dhe  shërbime  sektorë që nuk parapëlqehen më nga moshat e reja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH