1

Helidon Haliti vjen me ekspozitën “STILL A LIFE” në Muzeun Kombëtar

               Publikuar në : 10:23 - 29/03/21 liberale

Në datat 1-10 prill 2021 artisti Helidon Haliti do të mbajë një ekspozitë vetjake me titull “STILL A LIFE”, çdo ditë në orën 18:00 tek Muzeu Historik Kombëtar.

SINTEZA E ËNDRRËS

KËTEJ DHE ANDEJ EKZISTENCËS

Antiteza dhe sinteza e një pikture e mbështetur në alfabetin e ëndrrës, ku Frojdi thotë se ëndrrat përfaqësojnë dëshirat tona, Jung thotë se ato janë simbole dhe arketipe që përfaqësojnë veten dhe surrealistët… mendojnë!

“Ne jemi të bërë nga e njëjta substancë e ëndrrave; dhe jeta jonë e shkurtër përmbahet në hapësirën dhe kohën e një ëndrre ”. W. Shakespeare.

Shpeshherë dëgjojmë të flitet për imagjinatën, fantazinë, sikur arti të ishte një krijim nga asgjëja e një diçkaje krejtësisht të re, të panjohur më parë, “të re”, pasi arti gjatë procesit të ngjizjes së tij, i formësimit si i atillë “art”, është larg ose aspak i pranishëm në realitetin e përditshëm. Qasje kjo, e cila ngjason me përmasën e utopisë, për një ideal të realitetit, por që nuk ekziston “askund”.
Në tërësinë e veprave të artit bashkëkohor ndikimi i ëndrrës mbetet një fenomen, i cili padyshim është përkthyer në fenomenologjinë e vetë këtij arti, një luajalitet i ndërsjellë midis imagjinatës njerëzore dhe krijimit konkret. Marrëdhënie kjo, e cila i jep përparësi në krijimin e një vepre artistike bashkëkohore, është të shprehi koncepte që stimulojnë intelektin. Në këtë rast, kur tentojmë të lexojmë apo deshifrojmë ëndrrën/ëndrrat, intelekti i stimuluar shndërrohet në një imazh të caktuar, ashtu sikurse ndodh edhe në pikturën e Helidon Halitit. Një artist, i cili imazhet që krijon duken sikur vijnë nga një hapësirë tjetër mendore, pikërisht përtej asaj që ne të tjerët arrijmë të perceptojmë në realitet […] – ai përmes ëndrrës filtron ndjesitë e tij, duke thyer në këtë mënyrë pamjen tonë konvencionale të gjërave. Sjellje kjo që e udhëheq artistin për të identifikuar mënyra të reja dhe për të ndikuar në realitetin që e rrethon dhe e nxit për të krijuar, duke vënë në pikëpyetje vetë kufijtë e asaj që është arti konkretisht.
Me këtë frymë konkretizohet edhe ekspozita vetjake e Helidon Halitit në Muzeun Historik Kombëtar. Një ekspozitë, e cila rrugëton nëpër shtigjet ndjesore brenda qenies së artistit, ku ai falë pikturës ka arritur të shpërfaqë jo vetëm botë e tij shpirtërore, por dhe të reflektojë mbi të përditshmen që e rrethon. Ekspozita është e formësuar nga katër elementë thelbësor që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti si: vetëportretet ku ai ballafaqohet me veten, ngre një bashkëbisedim/monolog sofist për të njohur dhe kuptuar më mirë se cili është ai vërtetë, personazhet F që janë femrat me të cilat ai ka një marrëdhënie të veçantë sikundër është nëna e tij, duke pasuruar njëherazi me tonalitete të ngrohta veprat që ai krijon, personazhe M që janë miqtë dhe lojë luftrash hapësira ku shohim një përmasë tjetër të artistit, që është ajo e një “beteje” të brendshme ndjenjash, zhgënjimesh, ankthesh dhe vegimesh nga e kaluara.
Element tjetër që përcjell një mesazh të fortë është simbolika e veshit. Veshi që dëgjon dhe ai që lidh dy botë, atë jasht dhe brenda artistit.
Në këtë vështrim zanafilla e imazheve sa reale aq dhe surreale në pikturën e Helidon Halitit janë kujtimet, vegimet e së shkuarës, por që herë-herë ngjallen me të tashmen të cilat fiksohen dhe riorganizohen gjatë gjumit përmes ëndrrave, e më pas të pasqyruara mbi kanavacë. Imazhet që ne shohim këtë ekspozitë vetjake të Helidon Halitit nuk janë gjë tjetër, por fragmente të jetuara në një ëndërr, e cila paraqitet tek ne nëpërmjet një gjuhe të kodifikuar, të maskuar me qëllimin e vetëm për të shprehur dhe përcjellë ato ndjesi të tija që e nxisin për të zgjidhur tensionet e akumuluara gjatë përjetimit të ëndrrës, këtej dhe andej ekzistencës.

Ph.D. OLTSEN GRIPSHI

Kurator i ekspozitës


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back