1

11 Shtatori: plaga e hapur dhe rrënojat e një solidariteti të humbur

               Publikuar në : 09:55 - 18/09/21 Massimo Gaggi

MASSIMO GAGGI

Amerika që sot kremton përvjetorin e njëzetë të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 është një Vend i sfilitur, i drobitur nga lufta më e gjatë e historisë së saj: një betejë e zgjatur njëzet vite, e luftuar nga etër dhe nga shumë prej bijve të tyre. Por është edhe një Vënd i ndarë, i përshkuar nga një çarje e thellë. Figura tragjike e Rudy Giulianit është një simbol: krye bashkiaku i brohoritur nga të gjithë si një hero mbi rrënojat tymosëse të 11 shtatorit, “njeriu i vitit” i festuar në kopertinën e Time, i kthyer në një nxitës të sulmit mbi Kongresin të 6 janarit të shkuar, një rrezik për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Pandemia, piskama e sotme, në vënd që t’i bashkonte SHBA si kundër Al Qaedës, ushqen përplasje: madje një klimë të luftës civile me shumë që ftojnë për kryengritje kundër detyrimit vaksinor të lajmëruar nga presidenti Biden. Kongresi, një shënjestër e mundshme e aeroplanit të tretë të terroristëve të 2001, ai që ra në Pensilvani, mbështillet përsëri nga rrjeta e telit me gjemba nga frika e sulmit. Jo nga xhihadistët por nga skajorë të së djathtës që do të manifestojnë në Washington të shtunën e ardhshme.

“Po shkoj në Afganistan me qëllim që biri im një ditë të mos luftojë të njëjtën betejë”. Kur në 2002 kapteri Trevor deBoer i u përgjigj kështu atij që e pyeste se përse shkonte vullnetar, nuk mund të merrte me mënd se 17 vite më pas i biri Payton do të ndahej nga shërbimi ushtarak në të njëjtën bazë afgane ku filloi misioni i tij. Me një luftë që zgjati sa një brez njerëzish, raste si ai i familjes DeBoer janë të panumërt dhe vërtetojnë mirë “mundin e luftës”, dëshirën e shumë amerikanëve për t’u tërhequr nga bota, ndjesinë e fshehtë të zhgënjimit që kërcënon kremtimet e përvjetorit të njëzetë të sulmit terrorist të Al Qaedës.

Plaga e asaj dite të tmerrshme nuk është shëruar kurrë e ka shtyrë, pak a shumë me vetëdije, një popull që ka jetuar gjithmonë me mërgim në tokën e tij dhe me marrëdhënie të ngushta me të gjitha Vendet, të mbyllet hap mbas hapi në logjikën e “kështjellës Amerikë”. Amerika bujare, e ardhur për të shpëtuar Evropën në dy luftëra botërore, ajo e planit Marshall, nuk është krejtësisht e shuar, por atëherë njerëzit e saj ndjenin se kishin bërë diçka për ata që, për shumë prej tyre, ishin Vendet e zanafillës: ishte thirrja e rrënjëve dhe kishte ndjeshmëri, vlera e kultura të përbashkëta, të këmbyera nga mirënjohja e Kontinentit të Vjetër kundrejt Botës së Re.

Asgjë nga e gjitha kjo nuk është përsëritur në luftërat e Gjirit e t’Azisë Qëndrore: Vende të largëta, fisnore, të pakuptueshme. Ashtu sikurse i pakuptueshëm për më të shumtit ishte sulmi i ftohtë kundër Kullave Binjake dhe Pentagonit, i organizuar nga njerëz që vinin nga një Vend aleat, Arabia Saudite.

Por ata të një lufte të pafund nuk kanë qenë vetëm njëzet vite që kanë sfilitur Amerikën, duke i hequr asaj dëshirën për të luftuar, për të vazhduar të ndërpretojë rolin e xhandarit të botës, të rënë mbi shpatulla nga fundi i viteve Tetëdhjetë me shembjen e perandorisë sovjetike. Kanë qënë edhe vite ndasirash gjithënjë në rritje, në të cilët Vendi ka humbur atë pak kompaktësie që kishte fituar pikërisht nën goditjet e terrorizmit.

Ashpërsimi i dasive politike kishte filluar me sulmet tejet të forta të spikerit republikan të Kongresit, Newt Gingrich, kundrejt presidencës Bill Clinton, më pas me zgjedhjen e George Bush-it mbas një lufte kokë për kokë me Al Gorin. Por mësymja e Al Qaedës, veç shtyrjes së gjysmës së botës të deklaronte “jemi të gjithë amerikanë” e kishte ribashkuar Vëndin. Sot, në një Amerikë që diskuton më shumë për vaksinat se për mënyrat e tërheqjes nga Afganistani, i vetmi që ze faqet e para. është ish (e ndoshta i ardhshmi) president Donald Trump-i. Ai e bën në mënyrë të çuditshme: nuk flet për tërheqjen, të kryer mbi bazën e marrëveshjeve që ai ka mbështetur, ka dashur fuqishëm e ka nënshkruar, por për heqjen e përmendores së gjeneralit konfederal Robert Lee në Richmond të Virgjinisë: një çast nga lufta kulturore në vazhdim n ‘Amerikë, që mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamja e ruajtjes së kujtesës historike. Por ish presidenti e shfrytëzon për të lëvduar një njeri që ka luftuar për të mbrojtur skllavërinë duke shtuar pastaj, me një nga daljet e tij sureale, se po të kishte jetuar në kohët tona, sigurisht Lee do t’a kishte fituar luftën n’Afganistan.

Sureale por të pëlqyeshme për ithtarët e tij. Amerika e sotme është edhe kjo: e trullosur nga dy dhjetëvjeçarë luftërash pa krye, që e kanë dobësuar politikisht, ekonomikisht e moralisht, por edhe e ndarë ndërmjet dëshirës për të përkujtuar të rënët e saj, duke provuar të vetë bindet se viktimat e 11 shtatorit dhe 6650 të vrarët amerikanë në Irak e Afganistan nuk janë flijuar kot dhe tharjes së simpatisë të prodhuar në mënyrë servile nga efekti-Trump, me bindjen e tij se kush vdes në betejë është  një humbës. Veteranë në revoltë kundër tij? Çfarë thua! Madje për të mbushur rradhët e milicive paraushtarake, kundërshtuesit më të gjallë të rregullshmërisë së zgjedhjes së Biden-it, janë pikërisht shumë veteranë të dy luftërave që, të zhgënjyer nga rikthimi në jetën civile, shpesh të pa përshtatur ose të papunë, kanë kërkuar ikje në teoritë konspirative më fantastike e kanë gjetur strehë në popullzimin e ashoër e luftarak të Trump-it. Njëzet vite më parë Amerika blindohej për t’u mbrojtur nga kërcënimi i të tjerë atentatesh xhihadiste. Sot ai rrezik nuk është harruar, por mbas sulmit të 6 janarit mbi Kongresin, shqetëson më shumë kryengritja e brendshme.

Hapësirën ndërmjet këtyre dy Amerikave do t’a shohim sot në qëndrimet e presidentëve dhe ish presidentëve amerikanë: ndërsa Barack Obama e Georg Bush, veç Biden-it do të marrin pjesë në përkujtimoret e të rënëve, Trumpi në Floridë do të dëfrehet duke bërë telekronistin e një ndeshjeje boksi, ndërmjet dy lavdive të vjetra, tashmë pesëdhjetëvjeçarë, të peshave më të rënda.

“Corriere della Sera

Përktheu Eugjen Merlika /Gazeta Liberale

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back