Arte

11 autorë shqiptarë që sollën libra të rinj në Panair

Shkruar nga Liberale

Nëse doni të njiheni me autorët shqiptarë që erdhën me libra të rinj në Panairin e 22-të Librit, i cili përgjatë 13-17 nëntorit u mbajt në Pallatin e Kongreseve, po ju rendisim më poshtë 11 prej tyre.

1. Mimoza Hysa – Bijat e gjeneralit

E njohur si shqipëruese, Mimoza Hysa vjen në këtë panair me romanin e saj të parë “Bijat e gjeneralit”. Libri tregon historinë e Marsinës dhe Martinës, dy binjakeve, bija të një ushtaraku të lartë në karrierë në kohën e diktaturës në Shqipëri. Ndajnë po të njëjtat dashuri për dy burrat e jetës së tyre: për babanë komunist dhe Jetonin “me kleçkë” në biografi. Dy zgjedhje të vështira që përgatisin një tragjedi. Një roman psikologjik turbullues, i shkruar në vetë të dytë, si kërkim ngulmues i fajtorit tek tjetri, krejt i ngjashëm me veten. Personazhe të dyzuara, me zhvillime dhe përfundime të befasishme. Një rrëfim intim për seksin dhe dhunën, për sistemin dhe kaosin, për ndjenjën dhe detyrën, për ambicien dhe rivalitetin.

2.Mira Meksi – Diktatori në kryq

Diktatori përjeton ditët e fundit të jetës. Përpara syve të mendjes i shfaqet e gjithë ekzistenca e tij, që nga dashuria në Paris, lufta, pushteti, krimet, tradhtitë, vrasja e Fesë, izolimi, hipokrizia e pamatë dhe deri te makthi rrëqethës nga hijet e të vdekurve dhe të gjallëve…Ai projekton kthimin nga Vdekja. Nëpërmjet Reliktes së Shenjtë të Ringjalljes. Kërkon një mundësi të dytë në tokë. Për të qenë ndryshe. Një albanolog gjerman zbulon rrënjët pagane të Kishës njëmijë e pesëqind vjeçare të Hylindëses në Labovën e Kryqit, ato të gjuhës shqipe, si edhe misterin e lashtë të një “Graali të Shenjtë” për Krishtërimin që ndodhet në Kishën e Kryqit. Ka qindra vjet që agjenturat e fshehta të fuqive të mëdha janë në kërkim të këtij “Graali të Shenjtë”, i cili është shpresa dhe shpëtimi i njerëzimit. Me një penë mjeshtërore dhe me detaje nga më fantastiket, Mira Meksi ka ndërtuar prototipin e Diktatorit të Luftës së Ftohtë dhe Vetminë e tmerrshme të pushtetit absolut. Satira, ironia e thellë, thrilleri, suspensi policesk dhe rrëfimi magjik kanë mbrujtur lëndën e mrekullueshme të këtij romani me dramacitet të lartë.

3.Agron Tufa – Kur këndonin gjelat e tretë

“Prozat e këtij libri nuk kanë të bëjnë me përkufizimet teoriko-akademike apo shkollareske mbi zhanret (kufitare apo jokufitare). Ato janë autorrëfime, përshkrime, skena e situata, monologje në çastet kritike të minutës fatale para fytyrës së vdekjes. Qëllimi im ka qenë t’u jap zë këtyre hijeve tragjike, të cilat mbushën skenat mortore përgjatë ritualit satanik të flisë në “meshat e zeza” që bënte diktatura komuniste me adeptët dhe xhelatët e saj të përzgjedhur. Kështu, lëndë e këtij libri janë zërat e pengjeve të atyre fëmijëve, adoleshentëve, pleqve e burrave në kampet mortore të internimit me tela me gjemba, në qelitë e paraburgimit apo të hetuesive, sikundërse në burgjet e kamp-burgjet e Shqipërisë komuniste. Kjo “zhaurimë e përtejvarrit” përbën polifoninë e vajtimit prej vdekjesh të dhunshme të kainiadës sonë me dramën e vëllavrasjes e gjenocidit brendashqiptar, edhe pse në kohë paqeje…”, kështu i përshkruan vetë autori këto tregime.

4.Virion Graci – Dead End

“Dead End” është histori dashurie midis dy të rinjve, studentë nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, kur në Tiranë dhe në Shqipërinë e pllakosur nga kriza e gjithanshme ideologjike, morale e shpirtërore, po ndodhin ndryshime të thella – secili po ekspozohet në përmasat e tij reale, të mjerueshme. Viktimë e parë e këtij zgjimi ndërgjegjësues janë të rinjtë e të rejat, studentët shqiptarë të kohës të cilët, në pak muaj e vite kaosi biblik, pësojnë metamorfozën groteske : nga shpresa e një vendi bëhen mjerimi i tij dhe i vetvetes. Roman dashurie e zhgënjimesh rinore, shkruar me nota të ndjera lirike dhe humor të zi, ku pafajësia rinore, ankthi dashuror, etja për shpëtim nga ferri i ri social-kulturor, ndërthuren mjeshtërisht duke krijuar dhe duke rrënuar utopitë autentike të një tjetër brezi të rinjsh e të rejash, humbur pa adresë dhe shpërfytyruar keq nëpër rrugët pa krye të historisë sonë moderne.

5.Tom Kuka – Ora e ligë

“Ora e ligë” vjen si romani i tretë i gazetarit Enkel Demi, i cili në botimet e tij letrare përfaqësohet me emrin Tom Kuka. Sali Kamati, shtyrë nga zakonet e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash, Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë të gjitha punët e kamjen e vetë që kur t’i vijë ora e vdekjes, ta lërë çdo gjë prapa të rregulluar. Por, kur në shtëpinë e tij vjen si mysafire mbesa e së shoqes, Tusha, vatra familjare mbushet me frymë të re, gaz e hare, gjë që ia çel zemrën e i jep jetë të zotit të shtëpisë. Megjithatë, urrejtja, turpi e thashethemnaja do t’ia mpakin aq shumë ngazëllimin sa të mos të dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një përzierje e atmosferës epike e lirike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë të largët, në gjenezë të motit.

6.Edmond Tupja – Kujtimet e një karrigeje

Edmond Tupja vjen me një vëllim të dytë me tregime erotike që mban titullin “Kujtimet e një karrigeje”. Një hulumtim fin i marrëdhënieve intime dhe dashurisë fizike, të cilat shpesh fshehin përmbajtje filozofike dhe shpirtërore. Rritja dhe zbulimi seksual gjatë adoleshencës, përballja me trupin, zbulimet fetishiste thjesht për hir të joshjes së seksit, dëshirat dhe epshet e kontrolluara e ato të pakontrolluara, ngërçi piskologjik i burrave të tradhëtuar apo pasojat e një adoleshence të dhunuar, të gjitha këto trajtohen me një gjuhë të hapur dhe mbështillen me erotizmin herë brutal, herë të sofistikuar.

7.Preç Zogaj – Anjeza nuk u zgjua

“Anjeza nuk u zgjua” është një roman mbi dashurinë, atë të përjetshmen, të cilën autori i romanit e ka dëshmuar përmes poezive në vëllimet që ka botuar njëri pas tjetrit, se e njeh mirë përgjatë përjetimeve vetjake dhe e shkruan më mirë poetikisht, si rrallëkush. Por ajo që njihet poetikisht nuk është e mjaftueshme që të jetë garanci suksesi për ta shkruar në prozë. “Prozatorët madje do më siguronin, duke ruajtur me një farë xhelozie sinorët e tyre, se poezia e shkruar më parë i bën keq autorit që guxon të merret me prozën, sepse ai do të rrezikonte të binte në atë mëkat që quhet poetizmi i prozës. Prozatorët shpesh i këshillojnë poetët që të mos merren me prozë, po ashtu si lojtarët e regbisë që do ta këshillonin një kërcimtar delikat baleti që të mos luajë regbi. Në një rast të tillë, faji do të ishte i prozatorëve, të cilët do të dëshmonin se nuk i njohin muskujt e padukshëm të poezisë …”, shkruan për këtë libër Rudolf Marku.

8.Rudolf Marku – Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës

“Dalja e romanit “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës” të Rudolf Markut konfirmon shkrimtarin, që luan me fjalën si rrëfim, me zhanrin si riformulim i pastër, ku prekim një përzierje të prozës me poezinë, me eseistikën, duke dëshmuar se parësore, për këtë shkrimtar rebel në poezi dhe përkthime, është eksperimenti letrar, gjuhësor dhe letrar i cili bëhet i prekshëm në të gjithë elementët sendërtues të veprës letrare, por më e rrokshme kjo ndjesi vjen në ndërthurjen e një romani të përveçëm, si kohë dhe hapësirë, si tipologji shkrimi dhe temporitmikë e fjalës, si skicim dhe plazmim i personazheve, që lëvizin në hapësirat e tekstit, e ku duket se është një tekst që ka në qendër dashurinë e humbur, por mbase kohën e shkretimit të qenies, pra sistemin që e vriste dashurinë e pafajshme” shkruan për këtë libër Behar Gjoka.

9.Mimoza Ahmeti – Tregimet e Civilizimi

Tregime të shkurtra që rikthejnë sërish në prozë një nga emrat e dashur të poezisë shqipe, Mimoza Ahmetin. Përshkruar nga tone filozofike ato dallojnë për ngarkesën emocionale. Libri është në stilin dallues të Ahmetit ku në fokus është njeriu, qenia njerëzore, ekzistenca e tij.

10.Andi Bejtja – Atdhedashuri

Gjithë natën eci nëpër ëndrra, në mëngjes s’më dhembin këmbët… por zemra… kjo është një nga 50 poezitë, por dhe 7 tekste këngësh që vijnë për lexuesin dhe adhuruesin e poezisë nën titullin domethënës të Andi Bejte. Me pesëdhjetë poezi ti thuash te gjitha. “Për këdo që e ka lexuar Andin më parë, apo ka dëgjuar edhe thjesht thënë nga miq se ai është një poet shumë i mirë, e ka në dorë ta provojë e ta bëjë realitet shijimin e poezisë se tij”, thotë botuesja Arlinda Dudaj.

11.Ornela Vorpsi – Vendi ku nuk vdiset kurrë

Libri të cilin autorja për pesëmbëdhjetë vvite nuk deshi ta botonte në shqip. Një libër për të mos u humbur, një libër që provokon, të bën të mendosh, të të pëlqejë pa masë e mbase dhe ta urresh pa masë. Është vendi ku nuk vdiset kurrë. Të kalitur nga orë të pafundta tryezave, të ujitur nga rakia që kullon lumë, të dezinfektuar nga specat djegës mbi ullinjtë e vajtë, këtu trupi kalitet për t’i bërë ballë çdo sfide. Shtylla kurrizore është e hekurt. Mund ta përdoresh si t’i pëlqejë së bardhës zemër. Në rast avarie, i gjendet dermani. Për sa i takon zemrës, ajo mund të dhjamoset, të nekrozohet, të pësojë infarkte, tromboza, e nuk e di çfarë tjetër, por, ajo di të rezistojë madhështore. Jemi në Shqipëri, këtu s’bëhet shaka. Ornela, silueti që elektrizonte trotuaret me gropa të Rrugës së Durrësit dhe xixëllinte mijëra sy në bordurat përballë Dajtit, rikthehet për të na çuar në vendin ku nuk vdiset kurrë. Ky nuk është një roman, edhe pse quhet i tillë, ky është një amanet i dikujt që nuk vdes kurrë. /Gazeta Si

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH