Aktualitet

10 kandidaturat për Çmimin letrar “Kadare”, mbizotërojnë të rinjtë

Shkruar nga Liberale
10 kandidaturat për Çmimin letrar “Kadare”,

Nga dorëshkrimet e paraqitura vihet re një tendencë që sa vjen e konsolidohet, sidomos nga autorët e rinj, për të shkruar letërsi që nuk njeh kufij gjeografikë apo konvencionalë

Arbër Ahmetaj

Ballsor Hoxha

Behar Jacaj

Dionis Prifti

Fatmira Aliaj

Fluranc Ilia

Gani Mehmetaj

Kujtim Lapa

Marcel Hila

Miço Mone

Këto janë 10 autorët e shpallur nga juria si kandidatë për të vazhduar garën për Çmimin “Kadare” 2021, mes 30 autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, që u përfshinë në këtë konkurs me dorëshkrime të veprave të tyre në prozë.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, juria në mënyrë kolegjiale përzgjodhi këto 10 autorë, duke çmuar vlerat e secilës vepër të paraqitur në konkurs me mirënjohjen e thellë për kontributin dinjitoz të secilit prej 30 autorëve të përfshirë.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj bën me dije se veprat e paraqitura pohojnë fort dhe bindshëm një numër përfaqësues të autorëve të rinj që gjakojnë letërsinë e mirë, përveç autorëve tashmë të konfirmuar.

“Jemi të entuziazmuar dhe na gëzoi shumë si juri numri i lartë i prurjeve në këtë konkurs, megjithë ngërçin e kësaj kohe të vështirë që po kalojmë. Nga dorëshkrimet e paraqitura, përveç përfaqësimit dinjitoz të autorëve të konfirmuar tashmë, vihet re një tendencë që sa vjen e konsolidohet, sidomos nga autorët e rinj, për të shkruar letërsi që nuk njeh kufij gjeografikë  apo konvencionalë.”, tha Zogaj.

Ndërsa, për shkak të kushteve të pandemisë ndryshoi kalendari kohor i mbajtjes së këtij aktiviteti, procedura u ruajt e njëjta, si edhe qëllimi i tij për nxitjen e lëvrimit të prozës shqipe nga autorët shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit. Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, ka në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.

“Kemi shqyrtuar me kujdes dhe përgjegjësi të lartë secilën prej veprave të paraqitura nga 30 autorët e përfshirë në këtë konkurs dhe pohoj me kënaqësi të veçantë se letrat shqipe kanë një protagonizëm dinjitoz nga lëvrues të kultivuar, kreativë dhe interesantë, këndej e andej kufirit. Veprat e përzgjedhura spikasin për vlerat e tyre si në gjetje letrare ashtu edhe në ndërtimin e narrativës artistike. Besojmë fort se pas njohjes me veprën e plotë, do të jemi në gjendje të përzgjedhim fituesin e këtij edicioni të Çmimit “Kadare”, pohoi Zogaj.

10 autorët e përzgjedhur duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria ([email protected]), brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 26 shkurt 2021, juria do të shpallë 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit, të cilët do të vijojnë garën për Çmimin e madh.

Fituesi i Çmimit “Kadare” 2021 do të shpallet më 28 shkurt, ora 12.00 gjatë aktivitetit Anuarët e Filozofisë pranë Universitetit Europian të Tiranës, duke përzgjedhur kështu autorin shqiptar fitues në gjininë e prozës, në edicionin e gjashtë të këtij konkursi.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës “Leteratura”. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori, fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

***

Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:

Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.

Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, me veprën “Piramida e shpirtrave”, ndërsa shkrimtari Musa Ramadani është fitues i këtij Çmimi  për vitin 2017, me romanin “Profeti nga Praga”.

Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, ndërsa fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH