Nga Aranit Muraçi
“Në vitin 2005 për t’i dhënë prioritet zhvillimit të kompanive të suksesshme, krijuam një projekt, që ishte zyra e 200 tatim-paguesve më të mëdhenj. Nuk ishte qëllimi për t’i mjelë ata, por për t’iu shërbyer shpejt, që të prodhonin më shumë dhe të kishin një shërbim sa më të drejtpërdrejtë, për të ulur dhe reduktuar kostot e tyre”, thotë ish-ministri i Financave Arben Malaj. Aktualisht ekziston i njëjti regjistër me 200 tatimpaguesit më të mëdhenj, ndërsa në regjistrin e Tatimeve numri i biznesit të madh kalon mbi 1.300.
Sot, më shumë se 30 vjet pas hapjes së ekonomisë, duket sikur ka mbetur “qeveria” dhe emigracioni ‘biznesi më i madh’ dhe më fitimprurës i ekonomisë tonë, ose markat më të njohura për ekonominë dhe biznesin, në këto tri dekada tranzicion! Në vitin 2022 vendi ynë siguron vetëm çerekun e prodhimeve bujqësore që merrte në vitin ’90, ndërsa thuajse e shkatërruar ose ineficente ka mbetur industria e lehtë. Shumë biznese të mëdha janë kthyer në klientë të rregullt të çdo qeverie që ikën dhe vjen, duke prodhuar pak, ose duke mos prodhuar asgjë! E mbetur kryesisht në varësi nga importi, kriza e fundit energjetike nxori në pah paaftësinë e ekonomisë sonë për të orientuar biznesin ose sipërmarrjen nga veprimtaria e saj prodhuese. Sot paradoksalisht fitimin më të madh e sigurojnë kompanitë që fitojnë tenderë nga investimet qeveritare. Janë të njohura skemat e PPP-ve dhe të koncesioneve, kryesisht në ndërtim, si modelet më të mira të të bërit biznes në Shqipëri. Aftësia sipërmarrëse dhe menaxhuese, tregu i lirë, ngritja e një modeli të qëndrueshëm ekonomik, mbeten ende sfidë për biznesin, kryesisht atë të madh.
Në vitin 2021, në renditjen e bizneseve në të mëdha, mbizotëronin sipërmarrjet që merreshin kryesisht me aktivitet tregtie, jo prodhimi. Mbeten ende të pakta kompanitë me aktivitet fitimprurës në industrinë prodhuese dhe atë përpunuese. Akoma edhe më të pakta ato që konkurrojnë në tregun rajonal dhe më gjerë. Fabrikat e prodhimit të birrave, të verërave, pijeve freskuese, të përpunimit të peshkut, janë disa sipërmarrje të suksesshme të këtij lloji, në vendin tonë, që kanë shtuar eksportet dhe janë zhvilluar vitet e fundit. Por është absurd fakti, si shembull, që një kantier vere lëndën e parë (rrushin) kur mund të prodhohej fare mirë në Shqipëri, e importon atë nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut. Industritë prodhuese, apo ato inovative, në 30 vitet e para të tranzicionit të vështirë, nuk kanë arritur të gjejnë dot rrugën për të dalë në “fund të tunelit”. Në Shqipëri, gati 50% e investimeve totale në vitin 2020 shkoi në sektorin e ndërtimit për banesa, nga 25% që është mesatarja e Bashkimit Europian, sipas statistikave të Eurostat, ose dy herë më shumë sesa investimet e realizuara në shtetet e tjera të rajonit, që janë në faza të njëjta zhvillimi me vendin tonë. Investimet në këtë sektor janë rritur edhe më tepër në dy vitet e fundit. E megjithëse sektori i ndërtimit përfitoi i pari nga subvencionet shtetërore për të përballuar krizën e çmimeve, për shkak të rritjes së çmimit të lëndëve të para, apartamentet u rritën në pak më shumë se një vit me rreth 40 për qind nga 45 për qind që ishte rritja mesatare e apartamenteve në një dekadë në vendet e BE-së. Modeli ekonomik që po merr zhvillimi i vendit, i varur edhe këtë vit nga sektori i ndërtimit, pa ndonjë vlerë të shtuar në ekonomi, besohet se po fuqizohet ngaqë po kanalizon një pjesë të mirë të parasë informale dhe mbi të gjitha, të parave që sigurohen nga aktivitetet kriminale, çka herët a vonë, siç ka treguar përvojat ndërkombëtare, ky model mund të rezultojë një “tullumbace” në ekonominë tonë. Në 200 kompanitë më të mëdha tregtare që kontribuojnë në tatime, sipas të dhënave të vitit 2021, mbizotëronin subjektet me aktivitet në fushën e energjetikës, tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese, ajo e telekomunikacionit, etj.
10 tatimpaguesit më të mëdhenj:
1.“OSHEE Group”, në pronësi publike, u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare
2.“Kastrati Group”, kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë
3.“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energjie
4. “Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A”), operatori i dytë më i madh i naftës në vend
5.“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), banka më e madhe në vend
6. “Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, rritje prej 50% me bazë vjetore
7.GSA, me aktivitet në tregtimin e energjisë dhe të ferrokromit
8.“Big Market”, zinxhiri më i madh i super-marketeve në vend
9“INFO-Telecom”, që ofron shërbime transit ndërkombëtare telefonike
10.“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a. KESH)”
/Liberale.al/