Nga Luiza Pinderi
Universiteti Europian i Tiranës vjen me një formulë të re sa i përket Klubeve Studentore. 10/50/500, janë shifrat që tregojnë përbërjen themelore të tyre. E thënë më thjeshtë, UET do të ketë në përbërjen e vet 10 klube studentore profesionale, me nga 50 anëtarë secili klub, duke shkuar në total në 500 studentë që janë pjesë e këtyre organizmave të rëndësishëm të jetës studentore. Viti akademik 2019-2020 ishte një vit eksperimental në lidhje me anëtarësimin dhe pas testimit të suksesshëm, është vendosur që kjo të jetë formula përcaktuese e vazhdimësisë së klubeve në UET.
Jetës studentore në UET, i kushtohet një vëmendje e veçantë, për zhvillimin jo vetëm profesional, por edhe social e personal të studentëve. Për këtë arsye, janë krijuar klubet studentore, një organizim që iu jep studentëve hapësirë për të dalë jashtë kornizave të akademikes. Nën shembujt e universiteteve më të mirë anglo-saksonë, UET i sjell këto struktura në realitetin shqiptar, në funksion të kulturës dhe zhvillimit tonë shoqëror. Me shtimin e fakulteteve në UET, janë shtuar edhe klubet, për të pasur një përfaqësim sa më të mirë për secilin departament.
Aktualisht janë 10 klube profesionale dhe shumica prej tyre kanë mbi 50 anëtarë. Klubet janë fakultative, ku studentët e ciklit Bachelor, në fillim të çdo viti akademik, kanë të drejtën të zgjedhin anëtarësimin në dy prej tyre. Një gjë shumë e mirë e këtyre klubeve është fakti, se kanë gjithë përfshirje, që do të thotë gjithsecili mund të jetë pjesëmarrës, pavarësisht programit apo vitit të studimit. Studenti ka të drejtë të jetë pjesëmarrës në klube që janë në departamente të tjera, jo ku ai studion, dhe gjithçka është në varësi të qëllimit, pasionit dhe kërkesave të tij.
Klubet në vetvete kanë disa synime në përfitim të studentit, për të mos ia bërë të mërzitshëm procesin mësimor dhe për t’i dhënë mundësi që të zhvillohet më tej, nëpërmjet debatit, diskutimeve, përthithjes së informacioneve të ndryshme, të ardhura nga persona dhe eksperienca të ndryshme. Kështu, klubet synojnë rrjetëzimin, krijimin e kontakteve me studentë që janë në programe të tjera studimi, por që kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta. E në këtë rrjet, vjen vetvetiu edhe socializimi, pasi studentët, mësojnë dhe shkëmbejnë jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me profesionistë të fushave përkatëse, të cilët siç është traditë në UET, vijnë në takimet e klubeve dhe bëhen pjesë e komunikimit me studentët. Përfitimi tjetër i këtij organizimi është rritja profesionale.
Ndërkohë që në auditorë merret sensi teorik, këtu studentët mund të prekin më tepër rrafshin praktik, pasi shpesh ata dalin në terren, vizitojnë kompani apo shoqata të ndryshme që kanë lidhje me profesionin e tyre, dhe aty njihen më nga afër me kushtet dhe mënyrën sesi punohet, pasi në një të nesërme, edhe vetë mund të jenë të punësuar në të tilla kompani. Një tjetër element, po kaq i rëndësishëm i klubeve, është zhvillimi i lidershipit dhe aftësive organizative. Studentët mund të diktojnë tematika, personazhe, ngjarje, por edhe mund të jenë drejtues të këtyre takimeve.
Njohja nga afër me Klubet Studentore të UET
Përveç studentëve anëtarë, çdo klub ka gjithashtu një pedagog përgjegjës, në rolin e mentorit, i cili koordinon mbarëvajtjen e klubit, duke filluar që në përzgjedhjen e temave deri te ngritja e debateve konstruktive gjatë takimeve. Për të njohur më nga afër klubet në UET dhe se çfarë ndodh brenda tyre, po sjellim rrëfimin e tre mentorëve, të cilat na njohin më konkretisht edhe me projektet e zhvilluara gjatë këtij viti.
Klubi i Sociologjisë “Marks”
Pedagogu Klajdi Logu, prej 4 vitesh është mentor i Klubit të Sociologjisë, i cili ka në përbërje 50 studentë. Logu i quan klubet një nga avantazhet më të mëdha të praktikave studentorë dhe e cilëson një eksperiencë të jashtëzakonshme.
“Jeta jonë shoqërore pëson vazhdimisht ndryshime të mëdha dhe rrënjësore dhe ne duam që arsimi ynë të ketë kuptim për jetën dhe në këtë mënyrë ai duhet të kalojë nëpërmjet një transformimi të plotë në bazë të kushteve të kohës. Një ndër avantazhet më të mëdha të praktikave universitare janë klubet studentore. UET e kultivon vazhdimisht dhe me krenari traditën e organizimit të klubeve studentore. Prej 4 vitesh jam mentor i Klubit të Sociologjisë, një eksperiencë e jashtëzakonshme, një përpjekje për të orientuar gjithnjë e më shumë studentin në mënyrë vullnetare drejt ambienteve ku kultivohet dija”, tregon mentori.
Pedagogu shprehet se Klubi i Sociologjisë ka qenë shtëpia e studentëve nga të gjitha fakultetet e UET-së, pasi aty realitetet dhe praktikat sociale analizohen përmes lenteve sociologjike. Klubi e vazhdoi aktivitetin edhe gjatë periudhës së pandemisë, nëpërmjet zhvillimit online të aktiviteteve.
“Qëllimi jonë i përbashkët me klubin është përpjekja që bashkë me studentët të përpiqemi të analizojmë përmes lenteve sociologjike, realitete dhe praktika sociale përtej ‘perdes’ nëse i referohemi konceptit të Goffman të jetës së përditshme në analogji me teatrin. Anëtarësimi në klube studentore paraqet një mundësi për të mësuar më shumë për veten, qëllimet tuaja dhe pikat e forta. Një përfitim tjetër i madh i klubeve studentore është krijimi i rrjetit, ndërtimi i marrëdhënieve sociale me student të tjerë, të profileve të ndryshme, pasi klubi i sociologjisë ka qenë shtëpia e studenteve nga të gjitha fakultetet e UET. Përtej ndryshimit të kushteve normale të organizimit tonë jetësor, klubi vijoi traditën online të takimeve, nga analizimi i veprave, filmave dhe të ftuarit në auditorin online”, shprehet Logu.
Pedagogu shpreh në fund edhe një falenderim për gjithë studentët që kanë qenë pjesë e këtij udhëtimi, teksa thotë se gjatë takimeve ka arritur të zbulojë më tepër potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.
“Përmes takimeve të klubit, kam arritur të kuptoj më shumë potencialin e jashtëzakonshëm të studentëve tanë, të cilët i falenderoj për këtë udhëtim kaq të bukur me klubin dhe gjithçka u atribuohet atyre. Edukimi ashtu siç shprehej edhe Dewey duhet të shihet si një proces i të jetuarit dhe jo një përgatitje për jetën e ardhshme dhe vetëm në këtë mënyrë ai do ketë kuptim për jetën tonë”, shprehet mentori i Klubit të Sociologjisë.
Klubi i Financës "Adam Smith" dhe Klubi i Menaxhimit "Peter Drucker"
Pedagogu Sokol Ndoka, njëkohësisht zv/dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prej një viti është mentor i dy klubeve, atij të Financës dhe Menaxhimit. Ndoka tregon se takimet zhvillohen zakonisht 1 herë në javë, ndërsa temat mbi të cilat diskutohet vendosen paraprakisht në avancë në varësi të zhvillimeve që ngjallin interes. Sipas tij, këtë vit klubet kanë pasur rritje në numër, por edhe kanë sjellë risi në organizim. “Ndër vite klubet studentore kanë patur një rol mjaft të rëndësishëm në ngritjen e debateve konstruktive dhe aktivizimin e studentëve. Pavarësisht Covid-19, këtë vit klubet studentore në UET përveçse u rriten në numër, patën edhe risi në organizim dhe funksionim. Një pjesë e mirë e takimeve në varësi të temës u zhvilluan duke ftuar ekspertë në diskutim me studentët, (e ftuar Prof. Dr. Luljeta Minxhozi, Zv. Guvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë; i ftuar Prof. Asoc Elvin Meka, Dekan në Fakultetin e Ekonomisë Biznesit dhe Zhvillimit, UET). Po ashtu studentet u ftuan që gjatë takimeve të bënin edhe prezantime mbi të cilët hapej diskutimi”, thotë mentori.
Lidhur me pjesën e praktikës dhe daljes jashtë takimeve që zhvillohen në ambientet e UET, Ndoka tregon se studentët e këtyre klubeve kanë pasur mundësi të vizitojnë disa kompani shqiptare.
“Jashtë auditorëve kryesisht zhvillohen takimeve në ambientet e kompanive, ku përveç vizitës në institucion, zhvillohen edhe biseda dhe diskutime me drejtuesit e kompanisë mbi çështje të caktuara dhe në interes të studentit, (NOA, Banka e Shqipërisë, Balfin Group)”, tregon pedagogu.
Klubi i Inovacionit "Steve Jobs"
Pedagogia Anxhela Ferhataj drejton prej qershorit të vitit 2019 Klubin e Inovacionit "Steve Jobs". Ky klub i zhvillon takimet një herë në javë, por ashtu si edhe klubet e tjera, nuk mbeti i paprekur nga pandemia, ku takimet u kthyen online, një praktikë që u vlerësua edhe nga studentët. Mentorja shpjegon aktivitet e kryera gjatë takimeve në auditorë, por edhe pjesëmarrjen në aktivitet që zhvillohen jashtë UET-së.
“Klubi inkurajon inovacionin dhe bashkëpunimin përmes ndarjes së ideve dhe diskutimeve. Disa nga temat e trajtuara janë: mbrojtja e të dhënave, eco-innovation, big data, smart home, inovacioni në mjekësi, teknologjia blockchain, kriptografia, nanoteknologjia, machine learning, industria 4.0, digital marketing. Klubi i Inovacionit merr pjesë në aktivitete të ndryshme në fushën e teknologjisë së informacionit. Konkretisht në shkurt 2020 studentët morën pjesë Konferencën "Think Tech"”, tregon Ferhataj, teksa shton se gjatë takimeve kanë qenë të ftuar ekspertë të fushës së teknologjisë, por edhe biznesit, që u dhanë mundësi studentëve që të njihen me tregun e punës dhe zhvillimin e mendimit kritik. Pedagogia sqaron më tej, se ky klub ka në përbërjen e tij 64 anëtarë nga programe të ndryshme dhe kjo larmishmëri krijon më shumë përfitime për studentët.
“Një nga aspektet më të dobishme në Klubin e Inovacioni është diversifikimi që ka ky klub me 64 studentë nga programet të ndryshme. Një klub i larmishëm është një mundësi që studentët të bashkëveprojnë me kultura të ndryshme për t'u bërë udhëheqës më efektivë. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi me studentët e tjerë i ndihmon të zhvillojnë aftësitë e tyre ndër personale. Njëkohësisht i ndihmon edhe në përparimin e tyre hap pas hapi në sferën akademike”, shpjegon Ferhataj.
Eksperienca e dy studentëve
Për ta përmbyllur këtë rrëfim, po sjellim edhe mendimin e atyre që janë kryefjala e gjithë kësaj strukture. Dy studentë të UET tregojnë arsyet pse kanë zgjedhur të anëtarësohen në këto klube dhe se çfarë përfitimesh kanë marrë prej tyre.
Klaudia Halahula është studente e Psikologjisë, në vitin e dytë. Ajo është anëtare e dy klubeve, Klubit të Psikologjisë "Freud" dhe Klubit të Sociologjisë "Marx". “Arsyeja pse zgjodha Klubin e Psikologjisë, është sepse dega që studioj përputhet më se miri me të. Lidhur me Klubin e Sociologjisë, mund të them se më ka pëlqyer vërtet shumë si lëndë e zhvilluar gjatë vitit të parë dhe doja të merrja më shumë njohuri rreth saj”, tregon Halahula. Ajo ndalet edhe tek pjesa e aktiviteteve, ku tregon se pavarësisht pandemisë, ato kanë vazhduar online dhe kanë qenë mjaft produktive.
“Takimet online çdo të enjte me Klubin e Psikologjisë, kanë qenë padyshim pjesa ime e preferuar e javës. Kemi diskutuar për tema të ndryshme dhe kemi njohur më mirë njëri-tjetrin. Si veprimtari të preferuar, do të veçoja kryerjen e një testi për personalitetin nga secili prej nesh në klub dhe më pas arritëm të zbulonim më shumë për veten dhe të tjerët. Nuk mund të lë pa përmendur edhe analizën që kemi bërë për dy filma dhe gërshetimi i këndvështrimeve tona me informacionet dhe njohuritë e dhëna nga mentorja e klubit, kanë bërë që këto veprimtari të mbeten gjatë në kujtesën time”, tregon studentja. Klaudia Halahula e quan anëtarësimin në këto klube si një nga eksperiencat më të bukura dhe të vlefshme në UET. “Anëtarësimi në klubet studentore është një nga eksperiencat më të bukura dhe të vlefshme që po kaloj në UET. Unë kam përfituar shumë nga klubet ku jam angazhuar. Përpos njohurive të shumta që kam marrë, kam mundur gjithashtu të socializohem me njerëz të rinj dhe të gjithë së bashku, arritëm të kthenim pasditet tona në pasdite të bukura dhe aspak monotone”, përfundon Klaudia.
Krisztian Benussi është student i vitit të tretë në programin Shkenca Politike, i profilizuar në Studime Europiane. Ai ka qenë i aktivizuar në Klubin e Filozofisë “Russell”. “Kam zgjedhur të jem pjesë e Klubit të Filozofisë për tre arsye: a)Filozofia për mua është një mënyrë për të krijuar ide të reja dhe për të reflektuar mbi veprimet/qasjet e vjetra. b) Pedagogu që drejton këtë Klub (Klementin Mile) c) Të krijoj disa miq/mikesha të rinj/ja”, tregon ai.
Krisztian veçon edhe një nga temat e tij të preferuara të zhvilluara gjatë takimeve online, për shkak të pandemisë. Ai shprehet se tema e trajtuar, i nxiste të reflektonin mbi mënyrat e tepruara të konsumit që ka shoqëria moderne “Kemi zhvilluar mbledhje në universitet dhe në sistemin online teams (për shkak të Covid-19). Tema dytë me ka pëlqyer më shumë. Ishte një teme që u bazonte mbi një shkrim të filozofit gjerman, Markus Gabriel, e titulluar "Koronavirus dhe Koronasistemi". Ky punim na kërkonte të reflektonim mbi mënyrat e tepruara të konsumit që ka shoqëria moderne. Sipas autorit, duhet të gjejmë mënyra alternative konsumit, të jetojmë më shumë në harmoni me natyrën dhe mbi të gjitha të reflektojmë gjatë periudhës së Covid-19”, shprehet ai.
Dhe nëse ende ka ndonjë pikëpyetje mbi përfitimet e anëtarësimit, Krisztian Benussi, i rrëzon me një përgjigje praktike e bindëse nga eksperienca e vet, që të lë të kuptosh se asnjëherë nuk del pa gjë prej tyre. “Nga Klubet kam përfituar dije, disa miq më shumë dhe mbi të gjitha ishte një investim i mirë i kohës sime”, shprehet ai.
Klubet Studentore në UET, në vitin akademik 2019- 2020
Klubi i Inovacionit “Steve Jobs” Klubi i Psikologjisë “Freud” Klubi i Komunikimit “McLuhan” Klubi i Filozofisë “Russell” Klubi i Arkitekturës dhe Dizajn “Le Corbusier” Klubi i Sociologjisë “Marx” Klubi i Drejtësisë “John Locke” Klubi i Financës “Adam Smith” Klubi i Menaxhimit “Peter Drucker” Klubi i Mjekësisë “Hipokrati”
2019-2020, certifikata për angazhimet në klube
Steve Jobs, Freud, Russell, Mc Luhan e Adam Smith u rikthyen sërish në ambientet e UET, pas shkëputjes nga Covid-19. Është fjala për klubet studentore në Universitetin Europian të Tiranës, që mbajnë emrat e këtyre personaliteteve, të cilët iu kanë dhënë kaq shumë fushave të tyre profesionale, aq sa edhe shpesh identifikohen me to.
Studentët u mblodhën, jo për të diskutuar dhe ‘rrahur’ mendime e pikëpamje, por për të rikujtuar aktivizimin e një viti të tërë akademik, përshtypjet, risitë dhe benefitet, ku sigurisht nuk mund të anashkaloheshin edhe sfidat e krijuara nga pandemia, e cila ndryshoi shumë prej realiteteve tona. Në formën e një diskutimi, nën praninë të mentorëve të klubeve, studentët kujtuan eksperiencat e tyre më të mira dhe dhanë sugjerimet e tyre për vijimësinë në vitin e ardhshëm. Në fund të secilit takim, studentëve ju akordua një certifikatë, për angazhimin dhe pjesëmarrjen në klub. /Gazeta Liberale