Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1 mijë universitetet më të mira në botë, Shqipëria jashtë “hartës së cilësisë’

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Sot në ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik 2022-2023, me gjithë urimin për një vit sa më të mirë dhe të mbarë për të gjithë stafet pedagogjike dhe studentët, sidomos për ata që do të ulen për herë të parë në auditore, del në pah fakti që rajoni ynë, i tërë Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Shqipëria ndodhen para sfidës më të rëndësishme: rreth cilësisë.

Në vitin 2018, SHBA-ja krenohej me 43 universitete, duke zënë gati gjysmën e 100 pozicioneve më të mira në renditjen botërore. Në edicionin e fundit, SHBA numëron vetëm 34 universitete. Ndërkohë, Kina nga dy universitete që kishte në 2018, në 100 pozicionet e para të botës, ka shkuar në shtatë sot. Hong Kongu ka pesë universitete në 100-shen e parë, nga vetëm tre që kishte në 2018.

Afrika ka parë rritje 36.6% në vit, duka shkuar nga 71 në 97 institucione të arsimit të lartë – çka përbën edhe rritjen më të madhe në cilësinë e universiteteve në të gjitha kontinentet. 170 universitete renditen për herë të parë: 74 nga Azia, 53 nga Evropa, 25 nga Afrika, 17 nga Amerika e Jugut dhe gjashtë nga Amerika e Veriut. Në nivel vendi janë 13 universitete të reja nga Kina; nëntë nga Polonia; tetë nga Irani; tetë nga Pakistani; shtatë nga Turqia.

Siç shihet në hartën e Europës, vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashto Serbinë, nuk përfshihen me asnjë universitet, madje as në listën e mbi 1000 universiteteve më të mira të botës për vitin 2023. Është bërë këtë vit renditja e një numri rekord prej 1799 universitetesh nga 104 vende dhe rajone të botës, 137 më shumë se vitin e kaluar.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja kanë mbetur sërish jashtë hartës botërore sa i përket cilësisë.

Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar ruan vendin e parë për të shtatën vit radhazi. Vendet e mëdha, Britania e Madhe (92), Italia (54), Gjermania (49) Franca (31), dominojnë kontinentin tonë me numrin më të madh të 1000 universiteteve më cilësore për vitin 2023. Edhe Greqia, vendi ynë fqinj, pozicionohet mirë me 9 universitete në renditjen botërore.

SHBA edhe pse me një rënie mbetet vendi më i përfaqësuar në renditjen e 1000 universiteteve më të mira në botë, me 177 institucione, dhe gjithashtu më i përfaqësuari në 200 vendet e para me 58 universitete. Kina kishte numrin e katërt më të lartë të institucioneve në “top 200” me 11 universitetet, krahasuar me 10 vitin e kaluar, dhe ka kaluar Australinë, e cila ka rënë në vendin e pestë – renditje qe e ndan me Holandën. Pesë vende hynë në renditjen e 1000 universiteteve më të mira në botë, për herë të parë: Zambia, Namibia, Mozambiku, Zimbabve dhe Mauritius.

Koreja e Jugut ka tre vende në 100-shen  parë, nga dy që kishte në vitin 2018. Singapori dhe Japonia zënë nga dy vende në 100-shen e parë. Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po udhëheqin atë që disa e quajnë një rilindje të këtij rajoni, të nxitur nga inovacioni dhe krijimtaria, të mbështetura nga investime të mëdha. Universiteti i Mbretit Abdulaziz i Arabisë Saudite është një nga universitetet me rritjen më të shpejtë në botë, duke u ngjitur në pozitën e 101-të për këtë vit, nga vendi i 190-të që ishte vitin e kaluar. Gjashtë universitete të Emirateve të Bashkuara Arabe janë të përfshira në renditjen e përgjithshme botërore për vitin 2023, ndër të cilat pesë janë në rritje – të udhëhequr nga Universiteti i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Universiteti i Sharjah, të dy janë ngjitur këtë vit në listën e 300 më të mirëve në botë.

Renditja botërore e Times Higher Education (THE) është një barometër i cili vëzhgon nga afër ndryshimet në ekonominë globale të inovacionit dhe njohurive, duke mbështetur politik-bërjen e qeverive dhe vendimet strategjike të drejtuesve të universiteteve, si dhe të synon të ndihmojë miliona studentë ndërkombëtarë të zgjedhin institucionin që duhet t’i besojnë për edukimin e tyre.

Renditja Botërore e Universiteteve bazohet në 13 metodika të veçanta të performancës, që mbulojnë një gamë  të plotë të misioneve thelbësore që duhet të kenë universitetet, siç janë: mësimdhënia, kërkimi shkencor, transferimi i njohurive në komunitet si dhe këndvështrimi ndërkombëtar. Edicioni i vitit 2023 bazohet në një analizë të mbi 15.5 milion publikimeve kërkimore - dhe mbi 112 milion citimeve në botime - si dhe një anketë të më shumë se 40,000 akademikëve në mbarë botën mbi reputacionin akademik ndërkombëtar të secilit universitetet. Në krye të të dhënave është përfshirë edhe rekrutimin ndërkombëtar i talenteve dhe bashkëpunimi kërkimor i universiteteve. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

All - General - 1
Poll
All - General - 2
All - General - 4
All - General - 5
All - General - 6
All - General - 7
SHQIPENGLISH