Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 1.6 trilion dollarë borxhi i studentëve në SHBA. Lotaria me universitetet, ia vlen diplomimi apo jo?!

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 1.6 trilion dollarë borxhi i studentëve në

Aranit Muraçi

Është kthyer në modë zymtia kur bie fjala, nëse ia vlen apo jo të shpenzosh për të vazhduar studimet në universitet. Kostot dhe përfitimet e një diplome mbeten gjithmonë të debatueshme.

Në Amerikë, shumica e njerëzve tani u thonë anketuesve se ata mendojnë se nuk ia vlen të shkosh në universitet.

Për studentin, kjo është larg së vërtetës.

Në vendet e pasura njerëzit që kanë një diplomë bachelor fitojnë mbi 40% më shumë se ata që nuk e kanë. Ky premium ka mbetur i lartë, edhe pse numri i studentëve në universitete është rritur dhe paralelisht oferta: rreth 33 milionë njerëz studiojnë për t’u pajisur me diploma universitare në të gjithë botën e pasur sot.

Megjithatë, këto shifra fshehin dallime të mëdha. Për një pjesë të madhe studentësh, kthimet nga ndjekja e universitetit janë të vogla. Rreth 25% e meshkujve dhe 15% e femrave të diplomuar në Angli do të kishin qenë më mirë financiarisht nëse nuk do të shqetësoheshin fare për këto dilema.

Në total, borxhi i studentëve ndaj bankave dhe shtetit si garantues i tyre ka arritur në 1.6 trilion dollarë në Amerikë, 60% më shumë se sa ata i detyrohen kartave të kreditit. Kjo tregon se çfarë rëndësie merr kualifikimi në një vend që zhvillimin nuk e percepton dot pa arsimin. Presidenti Joe Biden, kujtojmë se pas pandemisë dhe krizës së inflacionit i fali secilit student me borxhe nga 10 mijë dollarë, me qëllim për t’i lehtësuar nga kriza.

Mirëpo rreth një e pesta e huamarrësve studentë të Amerikës ishin një dështim para pandemisë, çka lë vend për diskutim.

Temën rreth dilemave të studentëve nëse ai vlen të shkohet në universitet apo jo e ka trajtuar “The Economist” teksa edhe qeverive të vendeve të zhvilluara, ku funksionon tregu i punës, u bën thirrje të investojnë për të minimizuar të tilla dilema, pasi arsimimi dhe kualifikimi mbeten vendimi më i mirë për të rinjtë dhe për kombet që kanë prioritet zhvillimin.

Ndërsa në vende ku dija, puna, aftësia dhe talenti nuk vlerësohen në tregun e punës, ka të ngjarë që herët e vonë vendi që e përfaqëson dhe “e motivon” atë treg pune, veç braktisjes nga studentët, të përballet me rrezikun e kapitullimit.

Vendit ynë çuditërisht nuk ka ngritur ende një “database” mbi numrin e të diplomuarve çdo vit, me qëllim që të bëhet krahasimi me pjesën tjetër të popullsisë si dhe të përcaktohen prioritete dhe objektiva të caktuara, krahas me vendet dhe modelet ku duam të bëhemi pjesë. Sipas Eurostat vendet e Bashkimit Europian i kanë vënë vetes si objektiv që 45 për qind e popullsisë në vitin 2030 të jetë me arsim të lartë.

Gjithashtu, ende nuk është bërë një studim rreth profesioneve që ka nevojë dhe kërkon më tepër tregu i punës, që të rinjtë veç viteve të humbura dhe shpenzimeve monetare për t’u diplomuar, të mos demoralizohen pas daljes në tregun e punës. Janë sfida të universiteteve, të cilat kërkojnë edhe vullnet politik. Qeveria shqiptare veç përkrahjes së vazhdueshme që studentët kërkojnë gjatë viteve të vështira të studimit, duhet të lobojë më pas, sikurse bëhet thirrja në perëndim, për të mos pasur dilema.  /Liberale.al/

Liberale Newsroom

All - General - 1
Poll
All - General - 2
All - General - 4
All - General - 5
All - General - 6
All - General - 7
SHQIPENGLISH