Aranit Muraçi
Shqipëria investon në infrastrukturë dhe ndërton aeroporte në qytete që po braktisen si në Kukës, miliarda euro të zhurmshme i çon për porte, apo për tunele si ai i Llogarasë që 9 muaj do të bëjnë “pushime”, për rrugë pa lidhje me infrastrukturën, e madje edhe për satelitë, por çuditërisht ka lënë pas dorë projektin e modernizimit të hekurudhave, si pjesë e rëndësishme e planit të BE-së.
Hekurudha që do të lidhë Portin e Durrësit me portin e Varnës në Detin e Zi, e projektuar dhe e mbështetur nga BE, ka përfunduar në pjesën bullgare, po punohet me intensitet të lartë në pjesën e Maqedonisë së Veriut, por ka ngecur në territorin shqiptar.
BE ka planifikuar që në vitin 2027 kjo linjë ndërkombëtare dhe e një strategjie të veçantë për të lehtësuar jo vetëm lëvizjen e qytetarëve por edhe shkëmbimet tregtare mes lindjes dhe perëndimit, të mbyllet. Por nëse afati do të shtyhet, faji do të jetë i Shqipërisë, pasi punimet në linjën hekurudhore nga Pogradeci në Durrës nuk kanë nisur ende. E vetmja linjë hekurudhore ku po punohet aktualisht në vendin tonë është ajo që lidh Tiranën me Durrësin.
Ky projekt përveç fondeve të BE-së mbështetet edhe nga BERZH. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zgjeruar financimin për ndërtimin e seksionit lindor të rrjetit hekurudhor në Maqedoninë e Veriut. Pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, projekti do të mbështetet nga një hua prej 200 milionë eurosh nga BERZH, së bashku me një grant prej 75 milionë eurosh nga BE-ja.
Pas miratimit të fondeve nisi zyrtarisht puna për ndërtimin e pjesën prej 34 km nga Beljakovce në Kriva Palanka. Kompania austriake Strabag do të jetë përgjegjëse për punimet e seksionit nga Kumanova në Beljakovce, ndërsa kompania turke Gülermak do të ndërtojë linjën nga Beljakovce në Kriva Palanka.
Duke filluar nga Kumanova, pjesa lindore prej 89 km e Korridorit VIII, do të përfundojë në Dave Bair, në kufirin me Bullgarinë, duke kaluar përmes Beljakovce dhe Kriva Palanka. Projekti synon modernizimin e linjave hekurudhore në tërë Ballkanin Perëndimor. BERZH deri tani ka rënë dakord të sigurojë 940 milionë euro për projektet hekurudhore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu planifikon të shpërndajë 840 milionë euro të tjera në një periudhë afatmesme.
Aktualisht, vendi ynë ka kontraktuar një kompani që po kryen studimin dhe kërkon të zgjerojë me dy korsi të tjera autostradën e Korridorit të VIII, nga Durrësi në Pogradec, kur në fakt dy korsitë e saj janë ndërtuar jo më larg se 15 vite më parë dhe më urgjente aktualisht, siç edhe ka porositur BE, duhej të ishte hekurudha e lënë në mëshirë të fatit.
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, ishte në Tiranë pak kohë më parë dhe ajo nuk vizitoi asnjë aeroport, as ndonjë tunel apo rrugë, por shkoi të shihte nga afër punimet e hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Durrësin. Ursula von der Leyen të njëjtën gjë bëri edhe në Maqedoninë e Veriut. Por nëse fqinji ynë investimet i ka të fokusuara nga e ardhmja në BE, investimet e shqiptarëve duket se po shkojnë në “ajër”.
Sepse, edhe shifrat zyrtare e provojnë këtë pretendim. Shqipëria mund të konsiderohet një ndër vendet më të mjerueshme në Europës për sa i përket gjendjes së hekurudhave. Statistikat e Transportit sipas llojeve dhe të dhënave zyrtare të Instat, në dhjetëmujorin e vitit 2022, sipas llojeve, paraqitet si në vijim: Volumi i mallrave të transportuar me ajër është 1.682,9 ton, duke u rritur me 2,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3.261,5 mijë ton, duke u ulur me 20,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 16.443 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 25,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Në Tetor 2022, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 182 pasagjerë. Krahasuar me Tetor 2021, ky tregues është ulur me 74,4 %. Në muajin Tetor 2022, transporti ajror i pasagjerëve zë 85,8 % të transportit gjithsej.
Në dhjetëmujorin e vitit 2022, treguesit mbi numrin e pasagjerëve, paraqiten si në vijim: Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është 4.439.417 pasagjerë, duke u rritur me 82,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linjë detare 1.248.252 pasagjerë, duke u rritur me 62,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 10.316 pasagjerë, duke u ulur me 53,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Në dhjetëmujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të eksportuara me tokë zë 55,6 %, me det 44,3 % dhe 0,1 % me hekurudhë. Siç edhe tregojnë shifrat zyrtare, si për udhëtimet e qytetarëve ashtu edhe për shkëmbimet tregtare ekonomia shqiptare fokusohet, investon dhe preferon ‘fluturimet në ajër’. /Liberale.al/